Banalet dhe banaliteti

Banalët dhe banaliteti
Ku e ka goditur civilizimi i sotëm bukurinë dhe ndershmërinë e njeriut? Vladimir Nabokov përgjigjet tek kjo ese, me të cilën "Shekulli" i bën homazh shkrimtarit, sot, më 22 prill, në 110-vjetorin e lindjes.

Një përkthim i shkrimtarit Agron Tufa, i cili e portretizon Vladimir Nabokovin (1899 -1977), në tekstin universitar "Letërsia dhe procesi letrar në shekullin e njëzetë".

Ai e rendit Nabokovin - autori që shkaktoi skandal me romanin "Lolita", i vetmi i botuar në shqipe - ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të gjithë shekullit XX, në një radhë me Xhojsin, Prustin dhe Kafkën.

Mikroborgjezi është qenie e rritur me mendje praktike, me interesa përfitimi dhe ideale të ulëta të kohës dhe mjedisit ku jeton. Flas për njeriun e "rritur", solid, pasi fëmija apo adoleshenti me veset e mikroborgjezit, s\'është veçse një papagall që imiton manierat e filisterëve të mbaruar; se është më e lehtë të jesh papagall sesa korb i bardhë.

Filisteri dhe mikroborgjezi janë në një farë mase sinonime: ajo që ta shpif te filisteri nuk është aq gjithkundgjendshmëria e tij, sesa vetë banalizmi që ka ai në përfytyrimin e gjërave. Atë mund ta quash të "miredukuar" dhe "borgjez". Ky miredukim presupozon vulgaritetin e rafinuar prej çikërrimtari, i cili qëllon të jetë më i keq sesa naivizmi i vrazhdë.

Të ngashërehesh në një shoqëri është gjë e vrazhdë, por të ngashërehesh dhe të vikasësh i dalldisur: "Kërkoj ndjesë!" - është jo vetëm vulgare, por edhe spitullim.

Nocionin "borgjezi" unë e huazoj nga Floberi, dhe jo nga Marksi. Borgjezia, në kuptimin floberian, nënkupton, para së gjithash, prirjen e një sistemi arsyetimi, para se të shenjojë përmbajtjen e portofolit. Borgjez - në këtë kuptim - quhet borgjezi i vogël, filisteri i madh.
Ka pak gjasa që ky tip të këtë ekzistuar në shoqërinë e komunitetit primitiv, megjithëse elementet e mikroborgjezisë mund të zbulohen edhe atje.

Përfytyroni një grimë një kanibal, që porosit për drekë një kokë të prerë njeriu të gatuar për merak. Pikërisht kështu dhe filisteri amerikan dëshiron, që portokajtë amerikanë të kenë prore ngjyrë të ndezur portokalli, mishi i salmonit - ngjyrë trëndafili të çelët, kurse uiski - të ketë prarim të verdhemë.

Por, si rregull, mikroborgjezia lind në një shkallë të caktuar të progresit civilizues, kur traditat shekullore qenë shndërruar në një grumbull kutërbues hedhurinash, i cili kish nisur të dekompozohet.


Filisteri është një dukuri e përbotshme. Atë e ndesh në të gjitha klasat dhe nacionalitetet. Hercogu anglez mund të jetë po aq vulgar sa dhe pastori amerikan, burokrati francez apo qytetari sovjet. Përfytyrimi i Leninit, Stalinit dhe Hitlerit mbi artin, ka qenë tejet borgjez. Punëtori apo minatori jo rrallë është po aq haptazi borgjez, sa edhe agjenti i bursës apo një yll i Hollivudit.


Mikroborgjezët ushqehen me rezervat e ideve banale, duke rendur drejt frazave pompoze dhe klisheve; ligjëratat e tyre janë të nginjura me fjalë të zbërdhylëta e pa gjak. Filisteri i vërtetë është i thurur kryekrejt prej këtyre mendimeve mjerane, mediokre dhe, veç këtyre, s\'të ka asgjë.


Por, duhet pranuar: në secilin prej nesh fshihet ky thelb i klisheizuar dhe se, të gjithë ne, në ligjërimin e përditshëm ngarendim drejt fjalëve-shtampa, duke i shndërruar ato në shenja dhe formula.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë që gjithë njerëzit janë filisterë, porse na profilaktizon nga vëllimshmëria e fjalëve mekanike në mirësjellje. Në kohë zagushie, çdonjëri ndër dy kalimtarë do t\'ju pyesë patjetër: "a keni vapë?". Nga kjo s\'ke pse nxjerr përfundimin se bashkëbiseduesi juaj është njeri banal.

Ai mund të jetë një papagall i rëndomtë apo një i huaj, qejfli muhabeti. Kur ju pyesin: "si po ia shpini?" - përgjigjja: "mirë", mund të tingëllojë si shtampë e trishtë, por po nisët të shpërndaheni imtësisht mbi shëndetin tuaj, do rrezikoni saora të bini në një pedantizëm të shpifur.

Nganjëherë, banaliteti del në cilësinë e një mburoje të mrekullueshme apo të një truku të sigurt nga kuvendimi me budallenjtë. Kam ndeshur njerëz tepër të ditur - poetë, shkencëtarë, të cilët në kafe dilnin të larë më dy-tri fjalë: "jo, ju lutem, ju faleminderit".


Personazhi që shfaqet në cilësinë e "vulgarit të sosur", nuk është vetëmse një filister i ri, jo, ky është një spitullaq profesional nga koka te këmbët, një tip i mirësjellshëm borgjezi, produkt i përbotshëm mediokri dhe plogështari. Ai është konformisti që i përshtatet mjedisit të vet.

Atë e karakterizon idealizmi i rremë dhe urtësia e rreme. Mashtrimi - ja se kush është aleati më i sigurt i filisterit. Fjalët kuptim-mëdha - Bukuria, Dashuria, Natyra - tingëllojnë false në gojën e tij, me interesa prore të përllogaritura. I tillë është Çiçikovi i "Shpirtra të vdekur", Skimpol-i nga "Shtëpia e ftohtë", dhe, së mbrami, Ome nga "Madam Bovari".

Filisterit i pëlqen të të hedhë hi syve dhe i pëlqen, sidomos, kur këtë e bëjnë të tjerët, prandaj, gjithnjë e gjithkund, pas tij fill do të pasojë mashtrimi dhe batakçillëku.

Në rrekjen e tij të përhershme e pasionante për t\'u përshtatur dhe adoptuar, filisteri bëhet copë, me dëshirën dhe gjakimin të veprojë si gjithë të tjerët, gjersa t\'ia dalë të shtijë në dorë këtë apo atë aksh gjë, vetëm për shkakun se atë e zotërojnë miliona njerëz, si dhe nga dëshira pasionante për t\'i takuar një rrethi të caktuar, shoqate apo klubi.

Ai kallet nga dëshira për të bujtur në hotelet luksoze apo për të udhëtuar në transoqeanikët e klasit të parë, me kapitenin e veshur në kitel të bardhë dhe me servis të mrekullueshëm. Fqinjësia me ndonjë kompani të famshme ose me ndonjë aristokrat evropian - e luan menç krejt. Jo rrallë ai është snob.

Pasuria dhe titulli, e sjell atë në gjendje mahnie: "E shtrenjta ime, sot kuvendova me dukeshën!"
Vulgarin nuk e tërheq dhe nuk i intereson arti, atij s\'i intereson as letërsia - gjithë qenia, gjithë natyra e tij është në armiqësi me artin.

Porse ai, me një grykësi të pashoqe kullufit turli informacioni dhe është i stërvitur bukur në leximin e gazetave dhe revistave. Ai është një lëçitës xheloz i "Saturday Evening Post" dhe, duke u kredhur në gazetë e identifikon veten me heronjtë përparimtarë.

Përfaqësuesi i seksit superior e përfytyron veten një përmbushës simpatik gjyqi apo ndofarë tjetër shpesi të rëndësishëm, të themi, beqar më natyrë të mbyllur, me shpirt fëmije dhe njëherësh, lojtar golfi.

Dhe nëse nga kjo kategori kemi të bëjmë me një lexuese - një mikroborgjezkë të tillë, ajo e përfytyron veten në rolin e sekretares, të një perrie marramendëse, faqekuqeje e flokëbardhe (me pamje vajzukje, porse në shpirt - nënë e nderuar që ka kombinuar martesën e ligjshme me shefin e saj riosh).

Filisteri nuk di ta dallojë njërin autor nga tjetri; lexon ai pak, dhe prore sipas një qëllimi konjuktural të caktuar, por mund të mbajë edhe fjalime në shoqatën e bibliofilëve dhe të përmendë libra tejet të adhuruar: një sallatë nga Simonë de Bovuari, Dostojevski, Samërset Moemi, "Doktor Zhivago" dhe mjeshtër të epokës së Renesancës.

Atë nuk e prek asfare piktura, por për hir të prestigjit, ai var me qejf të madh në dhomën e pritjes riprodhime nga Van Gogu apo Uistlleri, duke adhuruar tinëz në vend të tyre, Norman Rokuellin.
Me ithtarinë e tij ndaj vlerave utilitare e materiale, ai shndërrohet me lehtësi në viktimë të reklamë-biznesit.

Reklama vetë mund të jetë shumë e mirë - rolet nganjëherë ngrihen gjer në lartësitë e vërteta të artit, por nuk është aty fjala. Thelbi ka të bëjë me atë që reklama luan fodullëkun filisterian të posedimit të objektit, qofshin një palë të linjtash të brendshme ose dhe komplet pajimesh argjendi për ngrënie.

Kam parasysh një tip të përcaktuar reklame. Për shembull, në shtëpi blihet një radiotranzistor apo televizor (makinë larëse, frigorifer, enë - gjithë çfarë të thuash).

Ato sapo i kanë nxjerrë nga magazina fringo. Nëna rreh shuplakat nga kënaqësia, çamarrokët e eksituar tubohen përreth, më i vogëlthi bashkë me qenin bëjnë për nga vendi ku kanë sajdisur Idolin, madje gjyshja me gjithë rrudhat shkëlqimtare të bie në sy diku në planin e pasmë, kurse i shmangur mënjanë nga të gjithë, me një pamje ngadhënjimtari lartohet Babai: ai pra është Babushi, ai është Dhuruesi Krenar.

Çunat e vegjël dhe çupëzat vogëloshe në reklamë i ke doemos të stërpikur me quka, ndërsa vogëlushëve u mungojnë gjithnjë dhëmbët e përparmë. Nuk kam asgjë kundër qukave (në fakt ato u shkojnë shumë krijesave të tjera të njoma).

Është krejt e mundur që një studim special i kësaj dukurie të dëshmojë, se pjesa dërmuese e qytetarëve të vegjël amerikanë i ka dhëmbët e përparmë, kurse studime të tjera të dëshmojnë, se ndër të gjithë përmbushësit e suksesshëm të gjyqit dhe shtëpiaket bukuroshe, t\'i kenë pasur këto dhëmbë në fëmijëri. E përsëris: nuk kam asgjë kundër qukave si të tilla.

Porse e konsideroj vulgaritet të neveritshëm mënyrën se si veprojnë me to reklamat dhe agjencitë e tjera. Sipas rrëfimeve të dëshmitarëve, nëse vogëlushi pa quka apo paksa me quka duhet të dalë në tele-ekran, atij i bëjnë quka artificiale, si minimum 22 copë - tetë në secilën faqe dhe 6 në hundë.

Nëpër komikse qukat të ndërmendin një li të dendur. Në një serial ato shenjoheshin me rrathë të veckël. Nëse heronjtë e vegjël qukësa interpretohen nga flokëbardhët apo bukuroshët flokëkuqërremë, burrat rioshë - kuadro, si rregull, kanë flokë të zinj dhe vetulla të dendura të zeza. Nga skocezi gjer tek kelti - shih se çfarë evolucioni!


Banaliteti më i pacipë i glorifikuar nëpër reklama, nuk qëndron në faktin se ajo u jep shkëlqim gjërave të dobishme, por në vetë hipotezën që lumturinë njerëzore mund ta blesh me para dhe se një blerje e këtillë, në një farë mase e përnaltëson blerësin.

Natyrisht, bota e krijuar në reklamë është e padëmshme - secili e di që ajo është e krijuar nga shitësi, të cilit gjithmonë i intereson blerësi.

Çka është më zbavitëse del qartazi me faktin se, këtu, jo vetëm që nuk ka mbetur asgjë shpirtërore, përveç buzagazeve ekstatike të njerëzve që përgatisin apo gëlltisin flokë hyjnore, as dhe pse loja e ndjenjave ecën sipas ligjeve të shoqërisë borgjeze; jo, më zbavitësja - është kjo botë hijeje, iluzore, dhe në ekzistencën e saj reale, tinëz, nuk besojnë tashmë as shitësit, as blerësit, sidomos në vendin tonë të mençur, të paqtë e pragmatik.
Rusët kanë, më saktë, kishin një emërtim special për mikroborgjezin e vetëkënaqur dhe të fryrë

- Poshllost (banalitet). Banaliteti - nuk është vetëm mungesë e hapur dhe e dujshme talenti, por më së pari, rëndësia e rreme dhe kallpe, bukuria kallpe, bota kallpe, tundimi kallp. Duke verbalizuar diçka me fjalën "poshllost", ne jo thjesht bartim një gjykim estetik, por dhe krijojmë një gjyq të njëmendët moral.

Gjithçka autentike, e ndershme e bukur - nuk mund të jetë banale (poshllyj). Unë them se njeriu i thjeshtë, i paprekur nga civilizimi, rrallë ndodh të jetë banal (poshljak), përderisa banaliteti presupozon anën e jashtme, fasadën, lustrën sipërfaqësore.

Që të mund të shndërrohet në banal, fshatarit i duhet të shpërngulet në qytet. Kravata e zbukuruar me dorë duhet të mbulojë gurmazin burrëror, që të ngadhënjejë banaliteti i pambulueshëm.

Ka të ngjarë që vetë kjo fjalë (poshllost) të jetë zgjedhur kaq goditur nga rusët, ngase në Rusi ka pas ekzistuar dikur kulti i thjeshtësisë dhe shijes së mirë.

Në Rusinë bashkëkohore - vendin e monstrave morale që u buzëqesh skllevërve dhe kusarëve kokëtrashë - kanë pushuar së vëni re banalitetin, përderisa në Rusinë Sovjete ka marrë të përpjetë një lloj banaliteti specifik e i larmishëm, në të cilin kombinohen despotizmi me kulturën e imituar.

Në kohërat e mëparshme, Gogoli, Tolstoi, Çehovi, në gjakimet e tyre për thjeshtësi e autenticitet e patën demaskuar përbuzshëm vulgaren, sikundërse dhe pseudomendimin e thellë.

Por, njerëzit banalë janë gjithkund e në çdo vend - dhe në Amerikë, dhe Evropë. Po sidoqoftë, në Evropë ata janë më shumë sesa këtu, pavarësisht nga përpjekjet e reklamës amerikane.

__________


Poshllost (rus. ) - Nuk ka ndonjë ekuivalent (gjegjës) plotësisht të përkthyeshëm në gjuhët europiane. Thelbi kuptimor i saj është përkthyer rëndom, mes raportit sinonimik që krijojnë fjalët vulgaritet dhe banalitet. (shën. përkth. ) .



Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama