Banda e Kryeministrit Rama ne Bienalen e Venezias ne emer te Shqiperise

Banda e Kryeministrit Rama në Bienalen e Venezias në emër të Shqipërisë

Shqipëria po merr pjesë me një pavjonin e saj në Bienalen e famshme të Arkitekturës në Venecia, i cili dot ë qëndrojë i hapur për gjashtë muaj. Në pavion do të shfaqet projekti " Të kam lënë malin", transmetimi nga një manjetofon i 10 këngëve polifonike, të regjistruara nga katër grupe popullore. Këngët trajtojnë temën e emigrimit dhe të zhvendosjes së njerëzve. Tekstet janë shkruar, enkas për projektin, nga 10 artistë apo intelektualë ndërkombëtarë, mes të cilëve dy me origjinë shqiptare, Anri Sala dhe Ornela Vorpsi.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në Bienalen e Venecias vlen të analizohet nga shumë aspekte, përfshi ato artistike, por ne po e trajtojmë atë nga një vështrim i caktuar politik: zëvendësimin e Shqipërisë me "bandën" e zakonshme të klientëve të Kryeministrit Rama -- njerëzve të lidhur me shumë fije me Kryeministrin dhe njëri-tjetrin, të cilët po hartojnë e zbatojnë në Shqipëri planet urbanistike dhe sociale të Zotit Rama dhe klientëve të tij.

Rrjeti klientelist i arkitektëve, kuratorëve e artistëve modernë--mbështetjen politiko-strategjike të të cilëve Zoti Rama e ka fituar përgjatë një dekade e gjysëm duke i mbështetur ata me para publike dhe private, si dhe me akses në projektet urbanistike e kulturore në Shqipëri--meriton një hetim dhe analizë më të thellë për t'u ekspozuar. Në këtë artikull, ne po përshkruajmë vetëm një nga sipërmarrjet e zakonshme të Zotit Rama dhe "bandës" së tij të arkitektëve dhe artistëve, në të cilat përzjehen paraja publike e private, arkitektura, arti modern dhe pasionet personale dhe për të cilat Shqipëria shërben si laburator ekspermiental--vendi ku, pa asnjë pengesë e përgjegjësi, arkitektë dhe artistë, të njohur e të panjohur, të suksesshëm dhe të dështuar, eksperimentojnë në kërkim të parasë dhe famës.

Sikurse, përshkruhet më poshtë, të gjithë personat e përfshirë në projektin e Bienales, me përjashtim të këngëtarve të polifonisë, janë të lidhur me interesa tenderash, konkursesh e projektesh, në të cilat projektuesi dhe vendim-marrësi kryesor ka qenë Kryeministri Rama. Të gjithë janë, gjithashtu, të lidhur me njëri-tjetrin si në një rrjetë merimange.

Përzgjedhja e projektit përfaqësues të Shqipërisë u bë, formalisht, përmes një procedurë të konkuruese: artistët u ftuan të paraqesin projekte në një konkurs të hapur për të gjithë, organizuar nga Minsitria e Kulturës.

Kryetare e jurisë së konkursit ishte Elisabetta Terragni, arkitekte italiane, e cila në vitin 2015 ishte anëtare e jurisë për projektin e "by-passit" të Gjirokastër (më shumë më poshtë). Konkursin e fitoi studioja Atelier 4, e përfolur për lidhje klienteliste me Kryeministrin Rama, e cila tre vitet e fundit ka qënë përfituesja kryesore e tenderave të qeverisë Rama, përfshi dy projektet e përfolura të këndit të lojrave në Parkun e Liqenit dhe të stadiumit të ri kombëtar.

Anëtar i jurisë ishte, gjithashtu, Anri Sala, një nga artistët më të rëndësishëm të artit modern europian dhe një ndër njerëzit më të afërt dhe me ndikim të Kryeministrit Rama. Në fillimet e saj, karriera e Anri Salës ka qenë e ngushtësisht e lidhur dhe e sponsorizuar nga Zoti Rama. Mbasi i bë i njohur, Anri Sala ka përdour famën, lidhjet dhe pushtetin e tij në botën e artit për ta promovuar Zotin Rama si një artist-politikan të madh, i cili po realizon ëndrrën e çdo artisti për të ndryshuar botën përmes artit, duke u përpjekur për ta shndërruar, kështu, zotin Rama në simbol e shembull për të gjithë artistët dhe intelektualët. Edhe pse nuk e arriti dot këtë gjë, për arsye që merren me mend, Anri Sala i krijoi Zotit Rama lidhje të shumta në qarqet e artit modern dhe arkitekturës europiane, të cilat ky i fundit i ka përdorur me mjeshtëri për interesat e tij politike dhe private.

Dy anëtare të tjera të jurisë ishin dy ish-punonjëse të Zotit Rama në Bashkinë e Tiranës dhe aktualisht vartëse të tij në administratën publike--Arta Dollani, Drejtoreshë e Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Adelina Greca, drejtoreshë e Agjensisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit. Arta Dollani ka qenë, gjithashtu, anëtare e jurisë së by-passit të Gjirokastrës, së bashku me Elisabetta Terragnin.

I vetmi anëtar i jurisë pa lidhje direkte me Zotin Rama ishte Gëzim Qendro, pedagog në Universitetin Polis

Juria e mësipërme përzgjodhi projektin "Të lashë malin", të propozuar nga amerikania Leah Whitman-Salkin, zëvendës redaktore për komunikimin e revistës Harvard Design School, dhe italo-amerikani Simon Battisti, student i arkitekturës në Shkollën e Dizenjimit të Harvardit dhe themelues i gazetës studentore të shkollës.

Fituesja Leah Whitman-Salkin u bë e njohur për publikun shqiptar para disa muajsh, mbas skandalit"me konkursin e projektit të "by-passit" të Gjirokastrës, në të cilin prezantuesja e konkursit shpalli si fitues që para fillimit të konkurimit, studion Atelier 4. Prezantuesja kërkoi falje, duke e quajtur lapsus cilësimin e saj, por në fund të konkurimit Atelier 4 u shpall vërtetë fituese e konkursit. Për ta zbehur skandalin, qeveria i mohoi akuzat për korrupsion duke përdorur emrat e anëtarëve të jurisë, përfshi Leah Whitman-Salkin dhe pozicionin e saj si zëvendës redaktore reviste në Harvard, duke nënkuptuar se figura të tilla nuk mund të korruptohen.

Por konkurentja Leah Whitman-Salkin duket se nuk e konsideroi konflikt interesi apo joetike të paraqitej si kokurente para një jurie të përbërë nga "koleget" që kishte pasur para pak muajsh në jurinë e Gjirokastrës, Elisabetta Terragnin dhe Arta Dollanin.

Bashkëkuratori tjetër i projektit fitues, Simon Battisti, është, gjithashtu, i lidhur me projektet e zhvillimit urban në Shqipëri. Së bashku me studentë shqiptarë të arkitekturës, ai ka qenë në verën e vitit 2015 pjesë e projektit Akademia Verore të Atelier Albania, agjencisë së qeverisë që organizon të gjitha tenderat në fushën e arkitekturës dhe zhvillimit urban, përfshi edhe atë të Gjirokastrës, të përmendur më sipër.

Realizimi i veprës nxori në pah edhe një tjetër konflikt interesi: një nga kontribuesit e teksteve të këngëve që fituesit Leah-Whitman dhe Battisti kishin përzgjedhur për projektin e tyre ishte, pikërisht Anri Sala, anëtari i jurisë që përzgjodhisi fituese veprën e tyre.

Duke e përmbledhur: Leah Whitman-Salkin, shoqe jurish me Elisabetta Terragnin dhe Arta Dollanin, me të cilat ka përzgjedhur në mënyrë të dyshimtë fituese studion Atelier 4, të afërt me Kryeministrin Rama, konkuroi me një projekt në bashkëpunim me Anri Salën, përpara një jurie të përbërë nga Anri Sala dhe dy shoqet e saj në juritë e mëparshme. Dhe fitoi.

Një nga aktivitetet kryesore të parashikuara në pavjonin e Shqipërisë është ai që do të realizohet nga studioja arkitekturore belge 51N4E -- studioja e lidhur ngushtë me Kryeministrin Rama dhe klientët e tij. Ndër të tjera, 51N4E është projektuesja e kullës TDI, një nga kullat e planit francez të qendrës së Tiranës; projektuesja, bashkë me Anri Salën, e projektit të Sheshit të ri Skënderbej që pritet të fillojë së shpejti; projektuesja e kompleksit privat atelie-studio-vilë banimi të Kryeministrit Rama në Surrel. Një nga themeluesit dhe partnerët kryesorë të studios, Peter Suinnen, u pushua nga pozicioni i kryearkitektit të Rajonit federal të Flamandisë në Belgjikë për dyshime korrupsione dhe konflikti interesi në lidhje me projektin e Sheshit Skënderbej.

Në pavjonin shqiptar, 51N4E do të ekspozojë një publikim me tregime të shkurtra të shkruara nga Falma Fshazi, drejtoreshë e Qendrës për Hapje dhe Dialog në Kryeministri--qendër e cila përdoret nga Zoti Rama për propagandë personale dhe për promovimin e individëve tek të cilët ai ka interesa politike apo private.

Në publikimin me titull filozofik "How things meet", tregimet e Falma Fshazit janë shoqëruar me fotografi ilustruese nga Stefano Graziani. Stefano Graziani është fitues i projektit për Lotin 1 të projektit të korridorit ekonomik Tiranë-Durrës të ashtuquajtur Projekti Durana.

Krahas publikimit të mësipërm, 51N4E do të mbajë në pavjonin shqiptar një bisedë me Falma Fshazin dhe Andreas Rubyn, e cila do të moderuar nga Freek Persyn i 51N4E.

Andreas Ruby është një tjetër anëtar i jurive të konkurseve urbanistike të qeverisë Rama: ai ka qenë anëtar i jurisë për përzgjedhjen e, pikërisht, planit të zhvillimit të korridorit ekonomik Tiranë-Durrës, i cili ka shpallur fitues (për një nga pjesët) pikërisht Stefano Grazianin që ka ilustruar tregimet e Falma Fshazit.

Në jurinë e Projektit Durana, Andreas Ruby ka qenë së bashku me Xaveer de Geyter, me të cilin ai ka bashkëpunuar në projekte dhe botime të ndryshme. Kështu, ndër të tjera, Xaveer de Geyter është prjektuesi i rindërtimit të Muzeut të Bazelit (Zvicër) ku drejtor është pikërisht Andreas Ruby. Ndërkohë, firma e Xaveer de Geyterit, XDGA, është fituesja e projektit të Lungomares në Vlorë, në jurinë përzgjedhëse të të cilit ka qenë anëtar, pikërisht, Andreas Ruby. Po në jurinë e Lungomares ka qenë anëtar edhe Freek Persyn, moderatori i bisedës mes Falma Fshazit dhe Andreas Ruby.

Për ta përmbledhur: firma e lidhur ngushtë me Kryeministrin Rama, 51N4E, e cila ka publikuar një libër me tregime të Falma Fshazit dhe të ilustruar nga Stefano Graziani, i cili ka fituar një tender në Shqipëri, do të organizojë në pavjonin e Shqipërisë një bisedë mes Falma Fshazit dhe Anreas Rubyt, anëtar në disa juri të konkurseve të Zotit Rama, përfshi edhe jurinë që ka përzgjedhur Stefano Grazianin; biseda do të moderohet nga një tjetër anëtar jurish i konkurseve të zotit Rama, Freek Persyn, i cili gjithashtu ka qënë në jurinë që ka përzgjedhur Stefano Grazianin. Këta do të flasin për të ardhmen e Shqipërisë.

Por ngjarja më domethënëse për Shqipërinë në Venecia, me shumë gjasa, do të jetë një tjetër shfaqje e studios 51N4E. Ajo do të shfaqë një dokumentar "Play for real", ku tregohet historia e projektimit dhe ndërtimit të kullës TDI në Tiranë. Në dokumentar, 51N4E shfaqet si studio novatore dhe revolucionare e cila përdor arkitekturën, konceptet urbane e sociologjike për ndikimin e shoqërisë (ose e thënë ndryshe eksperimenton në vende të prapambetura e të korruptuara si Shqipëria, në të cilat u jepet dorë e lirë nga udhëheqësit autokratë). Në dokumentar, natyrisht, lartësohet figura e Kryeministrit Rama si një sipërmarrës novator politik e shoqëror.

Me shumë gjasa, ai do të vazhdojë të mbetet e tillë për aq kohë bëjë projekte dhe konkurse për klientët e tij.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama