Gjykata e Krimeve të Rënda mbështet Prokurorinë, duke rrëzuar kërkesën për gjykim të shkurtuar të tre të akuzuarve të “Bandës së tritolit”. Tre prej të pandehurve kishin kërkuar gjykim të shkurtuar, por kërkesa e tyre ishte refuzuar nga Prokuroria, ndërkohë që pritej vendimi i gjykatës. Ditën e sotme edhe kjo e fundit, rrëzoi kërkesën e tre të akuzuarve, të cilët në këtë mënyrë do të mund të shpëtonin nga burgimi i përjetshëm. Kërkesa erdhi në seancën e dytë gjyqësore nga të pandehurit Andon Mëhillaj, Ilir Karçini dhe Albin Mexhaj.
I pari ka qenë Andon Mëhillaj, porositësi i dy vrasjeve në Vlorë dhe shpërthimit në banesën e Ardian Kollozit, i cili i kërkoi Gjykatës së Krimeve të Rënda gjykim të shkurtuar, por duke mos pranuar akuzën.
Të njëjtën kërkesë bëri edhe biznesmeni Ilir Karçini, i cili akuzohet se ka porositur vrasësin me pagesë Julian Sinanaj, për të ekzekutuar biznesmenin e gazit, Pirro Baren. Gjykim të shkurtuar, i kërkoi në fund Albin Mexhaj, i akuzuar si njëri nga furnizuesit me armë të vrasësit Julian Sinanajt.
Nëse kërkesa do të pranohej, të pandehurit do të përfitonin uljen e 1/3 së dënimit dhe do t’i shpëtonin dënimit me burg të përjetshëm. Gjithashtu, të tre këta të pandehur kërkuan që gjykimi i tyre të veçohet nga të penduarit Julian Sinanaj e Ndriçim Gjokona, si dhe nga të pandehurit Marjon Mitro dhe Genis Mëhillaj aktualisht i shpallur në kërkim.
6 të akuzuarit
Ngjarjet e “Bandës së tritolit” u zbërthyen nga Julian Sinanaj i akuzuar si vrasës me pagesë, i cili tashmë mban statusin e bashkëpunëtorit. Ai ka rrëfyer të gjitha krimet e kryera prej tij, ndërsa nuk hezitoi të fliste edhe për bashkëpunëtorët dhe emrat e porositësve të vrasësve. Sinanaj ka rrëfyer me detaje për vrasjen e peshkatarit Sokol Veizi.
Bashkëpunëtori i drejtësisë, ka pohuar gjithashtu se ka ekzekutuar biznesmenin Agron Çela, por nuk ka mundur të vrasë J.M., një person mjaft problematik në Vlorë. Andon Mëhillajt, akuzohet si sekseri i disa prej krimeve të Julian Sinanaj, u vetëdorëzua në polici. Sipas prokurorisë Mëhillaj është porositësi i disa krimeve të rënda, të kryera nga i penduari tashmë i prokurorisë Julian Sinanaj. Ilir Karçini dyshohet si porositës i vrasjes së biznesmenit Pirro Bare, krim i cili u parandalua nga policia. Ky krim ishte planifikuar të kryhej në ditën që u arrestua Julian Sinanaj. Ky i fundit ka rrëfyer para Prokurorisë së Krimeve të Rënda se Karçini, me ndërmjetësimin e Genis Mëhillajt, në kërkim, i kishte premtuar shumën prej 120 mijë eurosh, për ekzekutimin përmes shpërthimit të telekomanduar të biznesmenit, Pirro Bare. Karçini pretendon se nuk ka lidhje me ngjarjen në fjalë, por Julian Sinanaj e ka rënduar pozitën e tij, duke rrëfyer takimet me biznesmenin dhe bisedat e bëra me të. Albin Mexhaj akuzohet si furnizuesi me armë i grupit. Në tre raste u ka shitur armë dhe municion luftarak të pandehurve Julian Sinanaj dhe Ndriçim Gjokona.