Tashmë është e qartë se këto zgjedhje, ashtu si edhe të gjitha zgjedhjet e tranzicionit nuk përballën ide të ndryshme në funksion të objektivave kombëtarë të shqiptarëve por qenë një ndeshje bandash rezultati i të cilës ishte në pjesën më të madhe i paravendosur me marrëveshjen e 1 Prillit. Kësisoj, fitorja e thellë e koalicionit Rama-Meta duhet analizuar në kontekstin e përplasjes kriminale të bandave që përbëjnë parinë e Tiranës.
Arsyet për “shpërbërjen” zgjedhore të Sali Berishës dhe bandave të tij janë disa, por më i dukshmi është bojëdalja e plotë e të gjitha mekanizmave klanorë dhe anti-kombëtarë që ka përdorur Sali Berisha me qëllimin e vetëm për të ndenjur në pushtet. Konceptimi i pushtetit si një mjet për të kontrolluar të gjitha hallkat e shoqërisë dhe krijimi i një sistemi zvetënues i cili i shfrytëzonte dobësitë e njerëzve, i poshtëronte ata dhe në fund u ofronte një kockë si shpëtim materialist është një nga karakteristikat më të errëta të figurës së tij në politikë.
Shumëkush nga “kozmopolitët” e ndriçuar të opozitës është përqëndruar tek atavizmi dhe përdorimi i një gjuhe të egër, por thelbi i veprimit politik të Berishës është përdorimi i llumit të shoqërisë, përzjerja e tij me pak elementë me legjitimitet në popull, thyerja e këtyre ose politicizimi i tyre ekstrem me anë të krijimit të ndasive dhe sundimi i të gjithëve me anë të konfliktit. Më tej, sidomos gjatë katërvjeçarit 2009-13, tallja e hapur me qytetarët shqiptarë, arroganca e pushtetit me anë të emërimeve qesharake, aleanca hajdutërore me Ilir Metën, degradimi i çdo vetëpërmbajtjeje për shkak të zullumeve të pambulueshme më të familjes së tij biologjike, sollën një urrejtje gjithëpopullore e cila e bëri këtë votim plebishitar kundër tij shumë më të thjeshtë.
Mirëpo, gogoli Berisha nuk mjafton për një analizë të kthjellët të zgjedhjeve, sidomos po të marrim parasysh se sipas të dhënave fitorja e thellë e Ramës i detyrohet trefishimit të votave dhe katërfishimit të mandateve të Ilir Metës. Nga pikëpamja etike, një votë plebishitare proteste kundër Sali Berishës duhet të kishte prodhuar një lumë votash për PS-në për arsyen e thjeshtë se ajo ishte e vetmja forcë realisht opozitare në këto zgjedhje. Por faktet dolën ndryshe. PS-ja është rritur jo më shumë se 0.5% dhe në rang vendi ka të njejtat mandate si në 2009ën. Pra, protesta morale kundër Sali Berishës nuk mundet t’a shpjegojë rezultatin.
Një tjetër shpjegim që jepet është se PS-ja ka udhëzuar votuesit e saj të votojnë LSI-në sepse kësisoj maksimizohej rezultati në sistemin zgjedhor aktual. Mirëpo, edhe pse ka gjasa të ketë një përqindje zhvendosje votash brenda koalicionit, duket jo e besueshme që PS-ja të ketë zhvendosur aq vota sa të gati trefishojë rezultatin me vota të LSI-së dhe katërfishojë mandatet e saj. Ndaj edhe ky faktor nuk duket të ketë qenë përcaktues.
Nga ana tjetër, ka një përputhje midis votave të humbura nga PD-ja dhe atyre që ka fituar LSI-ja e cila ka ndikuar edhe në mandatet. Nga burime të ndryshme informacioni ka të dhëna se ka patur një fushatë të madhe blerjeje votash nga elementë të LSI-së në gjithë vendin. Duke parë përqindjen e lartë të elementëve me precedentë penalë në të gjitha listat fituese të palëve, si dhe duke marrë parasysh të kaluarën e zgjedhjeve në Shqipëri, ky shpjegim merr besueshmëri më të madhe. Vrasja e një sekseri të LSI-së dhe plagosja e një kandidati për deputet të PD-së në Laç pikërisht për shkak të tentativës për blerje votash nga të dyja palët është një tjetër fakt që e përforcon këtë përfundim. Duhet theksuar se votëblerja me thes me para nuk është eksluzive dhe as u shpik nga LSI-ja. Të gjitha bandat e parisë së Tiranës nuk kanë kurrfarë respekti për votën e lirë dhe e praktikojnë pa teklif këtë mënyrë pune. Një shembull i bashkë punimit trepalë sh ishte komuna Dropull i Epërm në qarkun e Gjirokastrës ku jo vetëm që votuan 320 % të rezidentëve të evidentuar nga censusi i 2011ës, por edhe ndarja ishte sipas proporcionit “të duhur” PS-LSI-PD. Duket se marrëveshja e 1 Prillit si dhe përdorimi masiv i teknikës së blerjes së votës e bënë LSI-në fituese këtë herë.
Një tjetër shembull tipik ishte fitorja “historike” e koalicionit të majtë në qarkun e Shkodrës. Rezultati në favor të opozitës ishte një kombinim i qartë i faktorëve të sipërcituar. Nga njëra anë urrejtja e përftuar nga arroganca dhe mungesa e ndjeshmërisë së Jozefina Topallit e cila e trajtonte Shkodrën si çiflikun e vet personal. Nga ana tjetër ujdia midis grupeve kriminale të lidhura me opozitën si grupi Doshi në Nën Shkodër, grupi Sterkaj në Malësinë e Madhe dhe grupi Çela i LSI-së në qytet, e balancuan avantazhin kriminal që gëzonte PD-ja në qark. Rezultati reflekton pra edhe protestën ndaj Berishës dhe kanakrëve të tij, por edhe ndryshimin e sinergjive kriminale brenda parisë lokale.
Nga kjo analizë e rezultatit dalin disa përfundime.
Së pari, zgjedhjet e 2013ës do të konsiderohen si më të mira se herën tjetër nga ndërkombëtarët të cilët duan pikësëpari stabilitet sepse nuk kanë besim se meritojmë më tepër. Mirëpo, këto zgjedhje nuk ishin më të mira për shqiptarët. Mungesa e përplasjeve të mëdha i dedikohet marrëveshjeve mes bandave e jo cilësisë së zgjedhjeve. Këto zgjedhje do të kujtohen si triumfi i parive lokale ashtu si e kishim parashikuar më herët tek Rrethi i Ferrit.
Së dyti, megjithë ikjen me gjasë të Berishës nga politika, berishizmi është instaluar edhe më thellë me këto zgjedhje. Pa dashur t’u prish festën socialistëve të ndershëm, sepse siç tha një nga analistët ruralë “nuk shahet dhëndrri në dasëm”, nuk mund të mohohet që qeverisja që po vjen do të ketë baza të forta kriminale si dhe do ketë opozitën më të kriminalizuar e më të pamoralshme të mundshme. Fitorja nuk do të sjellë përfitimet e pritura për popullin por do jetë hambar për ato që Shenasi Rama i quan “ortat e jeniçerëve dhe martallozëve” si dhe për oligarkët e mëdhenj të lidhur më PS-në.
Së treti, e ashtuquajtura Rilindje nuk sjell me vete një frymë ndryshe. Për të ndryshuar realisht Shqipërinë duhet reformuar sistemi politik. Mirëpo edhe në e pastë një vullnet të tillë z. Rama, gjë për të cilën unë dyshoj fort, kjo frymë nuk mund të ndodhë në pushtetin e ortave jeniçero-martalloze, të cilat kanë pritur tetë vjet në opozitë për të thither kockat që do lerë Saliu. Për sa i përket aleatit kryesor Ilir Metës, ai është “i ndershëm” me shqiptarët, ata që e votojnë marrin si shpërblim të mira materiale. Nga ana tjetër, me forcën e madhe që ka fituar nga këto zgjedhje nuk është e qartë se kush drejton brenda koalicionit.
Së katërti, interesat ekonomike të parisë janë të lidhura në atë lloj mënyre sa shumë shpejt një pjesë e mirë e biznesmenëve që ishin më pranë Berishës do të bëjnë kapërcimin tek pala tjetër. Këtë na meson e kaluara e afërt dhe na e konfirmon fjalimi i Ramës sot. Në mos i afroftë Rama, Meta mirëpret bashkëpunim me gjithkënd “për hir të integrimit”. Paria si grup e ka të nevojshëm bashkëpunimin ekonomik sepse mbi sundimin e rrafshit ekonomik bazohet kontrolli mbi hapësirën politike.
Në një situatë të frikshme ekonomike ku arka e shtetit është bosh, borxhi është në nivele falimentimi, të ardhurat fiskale në rënie të lirë e shumë parametra të tjerë me projeksion shumë negativ do të duhej një reformë e thellë e sistemit ekonomik. Mirëpo e ashtuquajtura Rilindje jo vetëm që nuk e kishte në program një gjë të tillë por një reformim i tillë do t’u binte ndesh interesave të pothuaj të gjithë deputetëve të sapozgjedhur. Ndaj shanset që reforma e vërtetë të ngjasë janë afër zeros.
Së pesti, por më e rëndësishmja, shqiptarët nuk patën dot një alternativë të pastër në këto zgjedhje. Përzgjedhja ishte midis tre figurave me njolla të pashlyeshme në të kaluarën e tyre politike. Nga njëra anë kishim një kryeministër autokrat, tashmë tërësisht të diskredituar, i cili nuk u ndal as përpara tradhtisë kombëtare për hir të pushtetit të vet. Më anë tjetër, patëm një pretendent tashmë kryeministër në pritje, ish kryebashkiak i Tiranës me lidhje me elementë kriminalë e oligarkë të fuqishëm, i cili nga eksperienca e vet politike “mësoi” se duhet të kopjojë rivalin. Në fakt, fitorja erdhi pasi ai adoptoi pothuaj tërësisht metodat politike të Berishës. Por, brenda koalicionit opozitar kemi edhe një pretendent kryeminister, ish qeveritar me përqindje të përcaktuara hajdutërie, i cili luftën e ka më tepër brenda llojit për kontrollin e PS-së dhe të kryeministrisë në një të ardhme sa më të aftërt.
Po t’i shtojmë kësaj marrëveshjen e ngjalave të 1 prillit e cila nuk mund të ishte konsumuar pa bekimin e Berishës, del se trekëndëshi Berisha-Rama-Meta është i përbërë nga tre forma të ndryshme të të njëjtit brumë. Berisha u mundua deri në fund t’u dali kontureve të marrëveshjes e të ruajë pushtetin- koncepti i nderit nuk ekziston mes hajnave- por në vija të përgjithshme ata kishin rënë dakord për parametrat e qeverisjes së ardhshme.
Për t’a përfunduar, populli shqiptar nuk pati zgjidhje të vërteta në këto zgjedhje. Ndonëse numrat përfundimtare të pjesëmarrjes në zgjedhje ende nuk janë deklaruar nga KQZ-ja (53%shi i deklaruar i referohet sipas sitit të KQZ-së 72% të të dhënave) duket se qytetarët zgjodhën të gjenin shpresë tek rrotacioni mes bandave. Mirëpo euforia e tanishme është e destinuar të jetë e shkurtër sepse bandat që po vijnë nuk do të mund të bëjnë ndryshimet rrënjësore për të cilat kemi nevojë. Ato do të kujdesen të ruajnë njëri tjetrin dhe të shtojnë pasurinë e tyre por jo të ndërtojnë shtetin komb dhe të bashkojnë shqiptarët. Shpresoj që pasojat e zhgënjimit të shqiptarëve me kastën që po vjen të mos jenë aq të dhimbshme sa ç’ është e parashikueshme.