Banesat karakteristike ne Gjirokaster ne rrezik shembje

Banesat karakteristike ne Gjirokaster ne rrezik shembje

Kur flasim për monumentet e kulturës , menjëherë mendja na shkon te Berati, Gjirokastra, Shkodra, Korça…dhe disa qytete e vende kulti që ruajnë dhe prezantojnë vlerat tona historike, kulturore e monumentale por që nuk bëhet aq shumë për mirëmbajtjen e tyre.

Një nga qytetet që është dëmtuar më shumë është Gjirokastra. Siç transmeton atsh, braktisja e shtëpive që janë edhe monumente muzeale dhe kulturore ka qenë i hershëm, që në kohën e tranzicionit politik i viteve -90-të. Shumë banorë u larguan drejt Greqisë apo vendeve të tjera dhe i lanë banesat e tyre në mëshirë të fatit.

Edhe banesa e Halimatëve në lagjen “11 Janari” në Gjirokastër e braktisur prej 10 vjetësh, tashmë është kthyer edhe në një rrezik serioz për jetën e banorëve përreth saj. Prej disa vitesh çatia dhe një pjesë e mureve të kësaj shtëpie janë rrëzuar duke prishur edhe çatinë e banesës që ndodhet poshtë saj, ndërkohë që pjesët e mbetura mund të bien në çdo moment.

Ndërsa degradimi i vazhdueshëm i gërmadhave të saj vazhdon pa ndërprerje, banorët i tremben përsëritjes së situatës. Ata apelojnë për ndihmë dhe shprehen se deri tani asnjë prej institucioneve përgjegjëse nuk është interesuar, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të tyre si në bashkinë e qytetit, ashtu edhe në Drejtorinë e Monumenteve.

Banesa e Halimatëve ndodhet vetëm pak metra larg banesës së Hadërajve, një pjese e së cilës u shemb në mënyrë të kontrolluar vitin e kaluar, pikërisht për të shmangur aksidentet e mundshme nga rrëzimi i mureve të mbetura.

Një pjesë jo e vogël e banesave karakteristike gjirokastrite ndodhen sot në të njëjtën situatë si pasojë e braktisjes nga pronarët, ndërsa banorët jetojnë përditë në rrezikun e shembjes së tyre, kurse institucionet që mbrojnë dhe restaurojnë monumentet e kulturës nuk veprojnë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama