Banka Boterore Crown Agents u ndeshkua per mashtrim

Banka Boterore: 'Crown Agents' u ndeshkua per mashtrim

Administrimi i doganave nga kompania britanike “Crown Agents” ka krijuar debate ditët e fundit në lidhje me integritetin e kompanisë, për shkak se ajo ka në Cv-në e saj një aferë korruptive në një nga projektet e Bankës Botërore. Ky pretendim i ngritur nga opozita rezulton të jetë i vërtetë, ndaj dhe “Crown Agents” ka marrë një ndëshkim të përkohshëm nga Banka.

Dënimi

Banka Botërore njoftoi më 19 tetor të vitit 2011 se kishte përjashtuar për gjashtë muaj “Crown Agents” dhe filialet e saj, për shkak të praktikave mashtruese. Sipas njoftimit zyrtar të Bankës Botërore të asaj kohe, ky vendim u mor pas një hetimi nga zv/presidenti i Bankës për integritetin, Leonard Mc- Carthy, i cili tregoi se në vitin 2006 kompania britanike “Crown Agents”  kishte keqinterpretuar disponueshmërinë e një konsulenti kryesor mbi një kontratë të dhënë sipas një projekti që Banka tashmë e kishte ekzekutuar. Vendimi pasoi të gjitha filialet e kompanisë në 24 vende ku kompania kishte bashkëpunim me BB. Përveçse të qenit e përjashtuar për të bërë biznes me BB, “Crown Agents” u detyrua nga Banka të rishqyrtojë dhe të amendojë integritetin dhe programin e etikës në përputhje me standardet e Bankës Botërore. “Banka Botërore është e angazhuar për të siguruar se burimet e pakta të zhvillimit janë përdorur për qëllimet e destinuara”, – tha Leonard Mc- Carthy, zëvendëspresidenti për integritetin e Bankës Botërore. “Kur zbulojmë një mashtrim, ne ngarkojmë me përgjegjësi keqbërësin dhe punojmë për të siguruar integritetin e madh dhe pëlqimin për të shkuar përpara”.

Akuzat

Partia Demokratike e ka denoncuar vendimin e qeverisë për dhënien e doganave të vendit, agjencisë private ‘Crown Agents’, si një akt të dyshimtë, jotransparent dhe që bëhet në shërbim të interesave klienteliste. “A ju është komunikuar nga zyrtarë të Bashkimit Europian se CA nuk ka përvojën e duhur në krahasim me projektet e BE-së që asistojnë prej kohësh falas doganat shqiptare? A ju është komunikuar nga zyrtarë të Bashkimit Europian se konsulenti CA është me kosto të lartë? A ka praktikë ndonjë vend i Bashkimit Europian me CA për një shërbim të ngjashëm dhe nëse po, a është vlerësuar negativisht performanca në këtë fushë? A është kontrata me CA, arsyeja e vërtetë e nxjerrjes së Aktit normativ, ku zvogëluat të ardhurat nga doganat dhe rritët borxhin publik? A do të përfitojë CA nga paratë e shqiptarëve?”- këto janë pyetjet që opozita pret të zbardhen nga qeveria. Administrimi i doganave nga një kompani e huaj ishte lajmëruar me herët nga kryeministri Rama qysh në ditët e para të qeverisjes. Qëllimi me të cilin u shpall kjo marrëveshje është rritja e eficencës në grumbullimin e të ardhurave nga doganat. Por ekspertët e fushës gjykojnë më të domosdoshme një reformë administrimi në tatime, për shkak se doganat janë informatizuar tashmë në të gjitha degët dhe të gjitha informacionet me vendet nga ku bën tregti Shqipëria gjenden online.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama