150 milionë dollarë do të ofrojë Banka Botërore për Rimëkëmbjen e Sektorit Energjetik në Shqipëri. Projekti synon të ndihmojë në përmirësimin e furnizimit me energji elektrike dhe të garantojë qëndrueshmëri financiare të sektorit.
Sipas bankës botërore do të financohen investime të rëndësishme në infrastrukturë që lidhen me shpërndarjen e energjisë elektrike dhe përmirësimin e sistemit të transmetimit.
Sipas Drejtoreshës së Bankës Botërore për Europën Juglindore Ellen Goldstein zgjidhja e mosmarrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe CEZ do të ndihmojë në kryerjen e investimeve të rëndësishme.
“Ndër reformat më të rëndësishme e të nevojshme për të nxitur rritjen ekonomike dhe për të rivendosur ekuilibrin fiskal në Shqipëri janë besueshmëria dhe qëndrueshmëria financiare më e madhe e sektorit të energjisë. Zgjidhja e shpejtë dhe e drejtë e mosmarrëveshjes tregtare në lidhje me kompaninë e shpërndarjes, bën të mundur që Shqipëria të shpjerë përpara këto reforma vendimtare si dhe kryrjen e investimeve shumë të nevojshme në sistem.”
Sipas bankës Botërore marrëveshja mes qeverisë dhe CEZ vendos një strukturë të qartë të pronësisë në sektorin e energjisë, e cila lehtëson reformimin dhe investimet e mëtejshme.
Drejtues i Lartë i Programit për Rimëkëmbjen e Sektorit Energjetik në BB Salvador Rivera shprehet se Projekti që do të financohet nga Banka është hapi i parë i nevojshëm për të ndihmuar përpjekjet e Qeverisë në përmirësimin e cilësisë së shërbimit për konsumatorët, uljen e humbjeve në shpërndarjen e energjisë nga niveli aktual prej 42% në rreth 20% në vitin 2018 dhe zbatimin e reformave prioritare në këtë sektor në përputhje me legjislacionin e BE-së.
Po ashtu Rivera thotë se Programi gjithashtu do të ofrojë mbështetje në planin afatshkurtër për financimin e importeve të energjisë gjatë periudhave të thatësirave.