Banka Qendrore e Shqipërisë rrezikon të dalë me humbje në fund të vitit 2015, për herë të parë në historinë moderne të sistemit bankar me dy nivele në Shqipëri (nga viti 1992).
Nga një rekord fitimesh në vitin 2009 prej rreth 10 miliardë lekësh (rreth 83 milionë dollarë me kursin e sotëm 1 USD = 120 lekë), Banka e Shqipërisë parashikon një humbje prej rreth 207 milionë lekësh (rreth 1.72 milionë dollarë ) për vitin 2015 në versionin e parë të projektbuxhetit të disponuar nga revista “Monitor”.
Rënia e fortë e të ardhurave si pasojë kryesisht e rënies së normave të interesit dhe mbajtja në të njëjtat nivele të shpenzimeve, kryesisht për shkak të personelit të fryrë (rreth 540 nëpunës) dhe amortizimeve të konsiderueshme (si rasti i Hotel Dajtit të blerë për rreth 32 milionë euro) e kanë çuar në negative diferencën të ardhura minus shpenzime.
Sipas ligjit “Për buxhetin e shtetit”, fitimi i Bankës Qendrore derdhet në buxhet, pasi shteti zotëron Bankën e Shqipërisë, por për vitin 2015 Banka nuk do të derdhë fitime, pasi rezulton me humbje.
Humbja e Bankës së Shqipërisë është reflektuar edhe në buxhetin e shtetit për 2015, pasi parashikimin fillestar për një fitim prej 62 milionë lekësh do ta mbulojë vetë buxheti pas daljes me humbje.
Drafti i buxhetit të Bankës Qendrore nuk ka planifikuar ndryshime në strukturën organizative të Bankës dhe në numrin e punonjësve sipas kësaj strukture, pasi dhe pagat dhe shpërblimet, sipas këtij drafti, nuk pritet të ndryshojnë.
Nuk është e qartë nëse bordi i ri dhe guvernatori i ardhshëm do të bëjnë ndryshime thelbësore në buxhet, por me versionin final, shpenzimet mbeten në të njëjtat nivele.
Gjithashtu politikat sociale për personelin mbeten të pacenuara, me përjashtim të disa zërave, të cilët janë reduktuar në 0 (shpenzime sporti, shpërblime suplementare) ndërkohë që shpenzimet e trajnimit dhe edukimit të personelit janë reduktuar krahasuar me planin e vitit të kaluar.