Banka pranga 7 anetareve te komisionit te inventarit

Banka, pranga 7 anetareve te komisionit te inventarit

Prokuroria e Tiranës nxori dje 7 urdhër arreste të reja në lidhje me skandalin e Bankës së Shqipërisë, duke e çuar numrin e të arrestuarve në lidhje me këtë hetim në 17 persona. Lajmi i bë i ditur për mediet dje nga Prokuroria e Përgjithshme që tha nëpërmjet një deklarimi zyrtar të saj, se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor të Tiranës kishte nxjerrë urdhra-ndalimi për shtatë persona, anëtarë të Komisionit të Inventarizimit në Bankën e Shqipërisë, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Këto urdhër arreste sipas burimeve të Prokurorisë dhe të Policisë së Tiranës, u ekzekutuan po dje nga efektivët e Drejtorisë së Policisë duke iu komunikuar gjithashtu edhe urdhër arrestet personave përkatës. Burimet e policisë dhe të prokurorisë thanë se personat akuzohen për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, pasi duke qenë në rolin e anëtarëve të Komisionit të Inventarizimit të Bankës së   Shqipërisë, nuk kanë identifikuar dhe zbuluar mangësitë në arkat e parave të cenuara nga dy personat e arrestuar si të dyshuar kryesorë për vjedhjen e sasive të mëdha monetare nga Banka e Shqipërisë. Gentian Jahja, 44 vjeç, Ilir Dedja, 60 vjeç, Emiljano Lamçe, 32 vjeç, Mehdi Marku, 44 vjeç, Bahri Allushi, 60 vjeç, Mehdi Molla, 64 vjeç dhe Fatbardha Gurthi, 53 vjeçe, janë shtatë personat e arrestuar nga hetuesit e Policisë së Tiranës, pas urdhër arresteve të lëshuara nga organi i akuzës. Burimet thanë se të arrestuarit janë përgjegjës për inventarizimin e arkës në veprim të degës qendrore të Bankës së Shqipërisë.

“Inventarizimi i Vitit 2013 “Në arkën për veprim”.

Hetuesit thanë se referuar urdhrit të datës 2 dhjetor të vitit 2013 “Për kryerjen e inventarizimit të detyrueshëm periodik të vlerave monetare në Bankën e Shqipërisë dhe degët e saë”, për kryerjen e inventarit të vlerave monetare në arkën për veprim, të degës qendrore të Bankës së Shqipërisë, Komisioni i   ngritur për kryerjen e inventarit përbëhej nga Bahri Allushi, kryetar, Fatbardha Gurthi anëtar, Ilir Dedja anëtar dhe Mehdi Molla anëtar. Po ashtu veprimet për inventarizimin e vlerave monetare, referuar urdhrit dhe raportit përfundimtar të këtij komisioni, rezulton se kanë nisur me 9 dhjetor të vitit 2013 dhe kanë përfunduar kontrollin me datë 24 dhjetor 2013, si në degën qendrore ashtu edhe në të gjitha degët. Më tej referuar dokumentacionit që përmban praktika e inventarizimit të kryer në arkën për veprim, rezulton se gjendja kontabël më datë 6 dhjetor 2013, është e njëjtë me gjendjen e pasqyruar në inventarizimin fizik të kryer me datë 9 dhjetor 2013, ka nënkupton se nuk janë konstatuar diferenca në vlera monetare. Prokuroria tha se në aktet e hetimit paraprak rezulton se në dhjetor të vitit të kaluar, përgjegjës i “arkës për veprim” në Departamentin e Emisionit, ka qenë Petrit Ramohitaj, së bashku me dy koleget e tjera të ngarkuar me vlera, Mimoza Bruzia dhe Liljana Kola.

Të tre këta persona janë nën hetim dhe të arrestuar nga organi i akuzës. Sipas hetuesve nga këqyrja e kolive në “arkën për veprim”, rezulton se tetë kolitë e prekura (në të cilat janë vjedhur lekët) kanë mangësi fizike, lehtësisht të evidentueshme. Këto mungesa sipas burimeve zyrtare të akuzës, nëse do ishte   zbatuar rregullorja për inventarizimin e vlerave monetare , do ishin konstatuar dhe pasojat do ishin me të lehta, dhe Banka e Shqipërisë nuk do vazhdohej të vidhej deri në datë 21 korrik të këtij viti, kur Bruzia dhe kolegu i tij Ardian Bitraj, ua rrestuan. Komisioni i inventarizimit, në këtë periudhë të kontrollit dhe kryerjes se inventarizimit, nuk ka verifikuar një me një të gjitha kolite me vlera monetare në brendësi te tyre dhe konkretisht 8 (tetë) arkave te dëmtuara dhe të liruara nga elementet e sigurisë që i rrethonin. Verifikimi me përzgjedhje, jo më pak se 5 për qind e tyre, kryhej duke hapur kolitë dhe verifikuar në brendësi të gjitha pakot dhe macetat, ndërsa për kolitë, verifikimi duhej kryhej për të gjitha një nga një. Për faktin që nuk është kryer një inventar dhe verifikim i tillë, nuk është arritur të konstatoheshin 8 (tetë) kolitë e prekura, të cilat do krijonin mundësinë e konstatimit të vjedhjes në një kohë më të hershme dhe shmangien e vjedhjes në të ardhmen. Për mosveprimin e mësipërm, ngarkohen me përgjegjësi penale Komisioni i Inventarizimit, i përbërë nga Kryetari, Bahri Allushi dhe anëtarët Fatbardha Gurthi, Ilir Dedja dhe Mehdi Molla. Gjithashtu përgjegjësi penale kanë edhe të ngarkuarit me vlera, personat nën hetim Petrit Ramohitaj, Mimoza Bruzia dhe Liljana Kola. 

Vjedhja e Bankës u zbulua, pasi inventari konkludoi të ishte në rregull

Një auditim i kryer nga Banka e Shqipërisë në muajin korrik të këtij viti, zbuloi vjedhjen e ndodhur në Bankën e Shqipërisë. Nga inventarizimi paraprak i kryer nga Banka e Shqipërisë rezultoi se mungonin afërsisht 713 milionë lekë të reja, të cilat ishin pjesë e arkës stok dhe arkës në veprim të Qendrës së Emisionit në Bankën e Shqipërisë. Këto dy arka mbajnë përkatësisht paratë që hidhen në qarkullim nga Banka e Shqipërisë, si dhe paratë që nxirren nga kjo e fundit nga qarkullimi kur ato janë dëmtuar, apo kur vetë Banka vendos të heqë nga qarkullimi një emision të caktuar kartëmonedhe apo monedhe metalike. Pikërisht raportet e auditit zbuluan mungesën e parave si dhe faktin se arkat ku ndodheshin paratë ishin të mbushura me libra, me qëllim që ato të mos kuptoheshin nga audituesit për nga pesha.

Ndërkaq hetimet e mëvonshme të grupit të prokurorisë që drejtohet nga prokurori Ramadan  Troci dhe që janë ndjekur nga afër më tej dhe nga prokurori i rrethit Petrit Fusha, zbuluan një zinxhir të gjatë abuzimesh dhe shpërdorimesh dhe abuzimesh me detyrën të funksionarëve të niveleve të ndryshme të Bankës së Shqipërisë. Menjëherë pas zbulimit, prokuroria arrestoi në flagrancë me akuzën e vjedhjes dhe shpërdorimit të detyrës Ardian Bitrajn si dhe më pas Mimoza Bruzian, e cila gjithashtu akuzohet për vjedhje dhe shpërdorim detyre. Zinxhiri i arrestimeve vijoi me arrestimin e përgjegjësve të arkës stok, arkës në veprim si dhe funksionarëve të tjerë të bankës, deri tek Drejtori i Qendrës së Emisionit Dorian Çollaku. Mes të arrestuarve, është edhe Klevis Bejtaj, djali i një biznesmeni në Tiranë, ndërsa ka pasur dijeni për vjedhjen pasi ishte nipi i Bitrajt dhe se kishte ndihmuar këtë të fundit në transferimin e parave që dilnin nga Banka prej Bitrajt.   


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama