Banka te arrestuarit akuzojne njeri-tjetrin

Banka, te arrestuarit akuzojne njeri-tjetrin

Shtatë ish- funksionarët e Bankës së Shqipërisë të arrestuar tashmë me akuzën e shpërdorimit të detyrës me pasoja të rënda, duket se kanë nisur të zbërthejnë njëri- tjetrin, duke hedhur akuza të ndërsjella në mes tyre për vjedhjen në Qendrën e Emisionit të bankës së Shqipërisë në masën e 713 milionë lekëve të vjetra. Një fakt it tillë konfirmohet nga burime të grupit të hetimit që thanë se personat kanë nisur të kenë mosmarrëveshje mes tyre mbi faktin se përgjegjësia e kujt ishte dhe se kush duhej të ndalonte vjedhjen e magazinave të stokut në Qendrën e Emisionit të Bankës së Shqipërisë. Këto divergjenca që kanë bërë që prokuroria të shpresojë edhe më tepër në zbardhjen më me hollësi të vjedhjes së bankës, janë vërejtur kur hetuesit kanë pyetur me radhë të arrestuarit e dyshuar për skandalin.

Tashmë që dosjet për secilin ndarazi, kanë nisur të shqyrtohen nga specialistët e grupit hetimor, të pandehurit janë në një fazë tepër delikate, ku po japin versionet e tyre, si në prani të avokatëve mbrojtës, ashtu edhe pranë oficerëve të Policisë Gjyqësore apo prokurorit të çështjes. Burime pranë grupit hetimor thanë se akuzat ndaj njëri-tjetrit, vijnë zinxhir sipas përgjegjësisë dhe rolit dhe funksionit që të pandehurit kanë pasur në Bankën e Shqipërisë. Madje edhe mungesën e dijenisë rreth rregullores së re që kishte dalë në mars të këtij viti, funksionarët e argumentonin me faktin se askush nuk ua kishte shpjeguar një gjë të tillë. Duke marrë parasysh të gjitha rrethan  at e kësaj ngjarjeje që ka marrë përmasa tepër shqetësuese ekspertët e grupit hetimor thanë se me shumë mundësi hetimet për shpërdorim detyre do të shtrihen edhe ndaj funksionarëve të tjerë, kryesisht drejtues të Thesarit. Të arrestuarit e fundit kanë shkelur vetëm një manual që është miratuar në datën 29 mars të këtij viti, ndërsa vjedhja ka filluar prej katër vitesh. Para togave të zeza, për t’u njohur me masën e sigurisë, pardje u paraqit Petrit Ramohitaj, me detyrë përgjegjës i arkës në veprim, Liljana Tusha, specialiste e arkës në veprim, Lavdim Cani, specialist i arkës stok, Myzejen Belba, specialiste e arkës stok, Dhimitër Davidhi, me detyrë vëzhgues-operator dhe Bashkim Xhilaga, përgjegjës i të dyja arkave. Klevis Bitraj, nipi i Ardian Bitrajt u la në burg për bashkëpunim në vjedhje.   Ndërkaq, të njëjtat burime pranë grupit hetimor thanë për gazetën “Shekulli” se pasi u mor masa e arrestit me burg, gjatë kohës kur të akuzuarit po rakordojnë veprimet me avokatët e tyre si dhe në seancat e takimit me familjarët, është dëgjuar thuajse e njëjta ankesë “Nuk dija gjë për vjedhjen as për rregulloren, fajin e ka...”, janë akuzat sipas një rendi ku specialisti i thjeshtë akuzon atë me post më të lartë dhe ky i fundit eprorin.

Nga ana tjetër, tashmë prokuroria e Tiranës ka krijuar bindjen se përderisa vjedhja është kryer lehtësisht nga Bitraj dhe Bruzia, atëherë edhe punonjës të tjerë që kanë pasur detyrë për të rakorduar kartëmonedhat që hynin dhe dilnin nga sportelet përkatëse, nuk kanë kryer detyrën e tyre.    Në pretendimin e akuzës thuhet se “Këta punonjës kanë shkelur aktet ligjore e nënligjore që normojnë veprimtarinë dhe funksionimin e personelit të bankës dhe atij të sigurisë, konkretisht udhëzimin nr. 741, datë 29 marsit 2014, si edhe manualet përkatëse të departamentit të emisionit. Shkelja e kryer prej këtyre punonjësve u konstatua edhe nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë që gjenden në ambientin ku ka ndodhur vjedhja”. Në këtë mënyrë përcaktohet nga ana e akuzës se punonjësit kanë lejuar që Bitraj të lëvizte lirshëm në Thesar, të merrte prej andej para me thasë plastikë. Ndërkaq, prokuroria e Tiranës mësohet se u ka dërguar një kërkesë hipotekës dhe bankave të nivelit të dytë për të verifikuar me saktësi të gjitha pasuritë e paluajtshme dhe llogaritë bankare të 9 personave të përfshirë në këtë skandal, duke nisur nga Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia, si të ndaluarit e parë në këtë histori, për të vijuar më pas me të arrestuarit e tjerë. Këto veprime, mësohet se do të kryhen për të verifikuar nëse ka pasur ndonjë ndryshim në numrat personalë të llogarive bankare të të akuzuarve si dhe ndonjë shtesë në Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme gjatë kohës kur dyshohet se është kryer vjedhja e 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë. Derimë tani, sipas burimeve pranë grupit hetimor, të cilat u shprehën për gazetën “Shekulli”, ka indicie se disa pasuri të paluajtshme në pronësi të të akuzuarve, mund të kenë lidhje me vjedhjen, mirëpo të gjitha procedurat janë në verifikim e sipër.   

Më në fund flet Berisha: Krim i shëmtuar, por nuk flasim

Ish-kryeministri deklaron se opozita do të heshtë për vjedhjen e bankës

Për të parën herë, pas denoncimit të skandalit të vjedhjes së parave reagoi dje më në fund edhe ish-kryeministri i vendit Sali Berisha. Ai tha dje në rrjetin social Facebook se opozita është e vendosur të mos nxisë destabilizimin e sistemit bankar, siç bëri Rama në vitet 2008-2009. “Unë ju siguroj se vjedhjen e parave në BSH e konsideroj një krim të rëndë të shëmtuar, që duhet ndëshkuar me të gjithë forcën e ligjit. Nga ana tjetër ky krim i shëmtuar është zbuluar dhe denoncuar nga vetë Banka e Shtetit në prokurori dhe kjo e fundit ka nisur një hetim të plotë dhe deri tani janë arrestuar 7 punonjës të Bankës. Sikundër duke dënuar pa hezitim këtë akt të shëmtuar kërkojmë nga organet e drejtësisë hetimin dhe qëndrimin më të rreptë ligjor për autorët dhe përgjegjësit e tij.”

Më tej, ish kryeministri thotë se “Është në interesin e çdo qytetari që ka depozita bankare në sistemi bankar të vendit që të shmanget presioni mbi bankat dhe çdo akt tjetër destabilizues ndaj sistemit bankar. Është qëndrimi ynë i prerë si opozitë të mos nxisim në asnjë rast destabilizim të bankave, siç bëri Edi Rama në vitet 2008-2009, me shpresë se do falimentonte ndonjë bankë, dhe nxiste tërheqjen e kursimeve nga bankat e vendit. Këtë ne nuk e bëjmë, sepse kjo do ishte goditje shumë e rëndë për të gjithë ata që kanë vendosur kursimet e tyre në sistemin tonë bankar. Këtë qëndrim në mënyrë të përsëritur e kam shprehur në FB për të gjithë ata që kanë pyetur apo kanë kërkuar qëndrimin tim”.  

Prokuroria, gati ndalime të reja, verifikim procesverbaleve në bankë

Nga hetimet e deritanishme, prokuroria ka sekuestruar procesverbalet e hyrje-daljeve dhe firmosjeve të të akuzuarve, si dhe ka administruar dëshmitë e të pandehurve. Në bazë të këtyre provave janë duke u formuluar akuzat ndaj këtyre personave, teksa në ditët në vijim priten edhe të tjera zhvillime, të cilat do të pasojnë edhe vendimin përfundimtar të gjykatës, pasi prokuroria është duke përpiluar kërkesën për gjykim. Mekanizmi i vjedhjes është zbërthyer me mjaft thjeshtësi, nga një rrëfim i Ardian Bitrajt, i cili konsiderohet kyç në këtë proces hetimor, në bazë të të cilit thuhej se paratë merreshin nga arkat stok dhe pasi fshiheshin në trup dilnin nga thesari i shtetit, mirëpo ekspertët e grupit hetimor kanë dyshime se ky mekanizëm grabitjeje, mund të jetë më i sofisti kuar se kaq dhe se në këtë vjedhje mund të jenë implikuar, përveç të akuzuarve të deritanishëm.

Kështu, burimet pranë grupit hetimor thanë për gazetën “Shekulli” se në bazë të disa dëshmive të rëndësishme dhe pas verifikimit të procesverbaleve të bankës, ka të dhëna të rëndësishme që mund të çojnë në ndalime të personave të tjerë, me poste relativisht më të larta se ata që tashmë janë arrestuar. Abuzimi me mënyrën e ruajtjes së parave si dhe pasaktësitë në rregullore apo procedurat strikte të kontrollit, sipas akuzës, mund të kenë çuar deri në këtë vjedhje masive, ndonëse vetë të pandehurit kanë deklaruar se çelësat i kishin lënë në mirëbesim dhe se përgjegjësinë ua kanë lënë shefave më të rëndësishëm, duke nisur nga posti më i ulët, deri te më i larti.    


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama