Bankat Funksionimi nuk eshte cenuar depozitat te sigurta

Bankat: Funksionimi nuk eshte cenuar, depozitat te sigurta

Bankat tregtare sigurojnë publikun se depozitat janë të garantuara, ndërkohë që mbështesin bankën qendrore në masat për ruajtjen e stabilitetit financiar në vend. Kështu, Shoqata Shqiptare e Bankave ka reaguar pas situatës së fundit të krijuar me arrestimin e ish-guvernatorit Ardian Fullani dhe 18 personave të tjerë, lidhur me vjedhjen e 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë.

Funksionimi normal

Në një njoftim zyrtar për shtyp të Shoqatës së Bankave, thuhet: “Duke marrë shkas nga zhvillimet e fundit që kanë përfshirë Bankën e Shqipërisë, Shoqata Shqiptare e Bankave, në emër të të gjitha bankave anëtare të saj, dëshiron të risigurojë publikun dhe të gjithë depozituesit dhe klientët, se funksionimi dhe stabiliteti i bankave tregtare në vend nuk janë cenuar. Siç reflektohet edhe nga pasqyrat financiare, të cilat AAB i ka publikuar vazhdimisht, sistemi bankar shqiptar mbetet likuid, i mirëkapitalizuar, me një rritje të vazhdueshme dhe një performancë të qëndrueshme. AAB dhe bankat anëtare të saj do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me Bankën e Shqipërisë, si dhe institucione të tjera financiare kombëtare e ndërkombëtare, për të siguruar ruajtjen e stabilitetit financiar në vend”, njofton shoqata.

Garancia

Ky është njoftimi i dytë i bankierëve. Në fillim të muajit gusht, Shoqata Shqiptare e Bankave, duke marrë shkas nga reflektimi i vazhdueshëm në media i konstatimeve të parregullsive në funksionimin e disa aktiviteteve në Departamentin e Emisionit në Bankën e Shqipërisë, siguroi publikun, dhe veçanërisht klientët e bankave tregtare në vend, se aktiviteti i bankave tregtare vijon normalisht dhe parregullsitë e lartpërmendura nuk ndikojnë në aktivitetet e tyre operacionale apo furnizimin me mjete monetare. “Bankat garantojnë klientët e tyre për një funksionim normal të departamenteve të tyre, si dhe për impenjimin maksimal për vazhdimësinë e sistemeve dhe aktiviteteve të tyre, në mënyrë që të sigurojnë investimet e depozituesve”, siguronte deklarata e parë e bankierëve.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama