Bankat japin me pak kredi per te blere shtepi

Bankat japin me pak kredi per te blere shtepi
Rritja e kredive me probleme po sjelle zhvillime negative të tjera në sistemin bankar duke ulur kështu ritmet e kreditimit të ekonomisë. Përpos kësaj, edhe individët duket të jenë më pak të prirur për financime duke ulur në këtë mënyrë edhe kërkesat për kredi bankare.

Raporti më i fundit i Bankës së Shqipërisë mbi ecurinë e kreditimit paraqet një tablo të përkeqësuar gjatë tre mujorit të tretë të këtij viti pas një përmirësimi në dukje gjatë gjysmës së parë të 2011-s. BSH paraqet rritjen e kredive me probleme si shkakun kryesor të shtrëngimit të kushteve të kredive nga bankat e nivelit të dytë i ndjekur nga situata e përkeqësuar financiare e kredimarrësve. Bizneset dhe individët nuk kanë mundësi të shlyejnë kreditë e marra nga njëra anë, ndërsa bankat shtrëngojnë kushtet e kredi dhënies nga ana tjetër duke përmbyllur kështu zinxhirin e problematikës së mbart rritja e kredive me probleme.

Dy ndër kreditë që kanë pësuar shtrëngimin më të madh janë ato për financim konsumi, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me kreditë konsumatore dhe kreditë për blerje banesash. Këto të dyja janë pikërisht edhe pjesa më e madhe e portofolit të bankave, por edhe më të kërkuarat nga qytetarët. Kështu përshembull, kreditë për financim konsumi pësuan një shtrëngim të kushteve me 24.6 për qind, ndërkohë që ato për blerje banese u shtrënguan me 7.7 për qind krahasuar me tre mujorin paraardhës. “Ekspertët e bankave kanë vlerësuar se gjendja financiare e individëve, gjendja e kredive me probleme,zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme kontribuuan në kahun shtrëngues të standardeve të kredisë për individët në një shkallë më të lartë krahasuar me tremujorin e mëparshëm”, – shpjegon Banka e Shqipërisë në raportin e saj.

Përpos kësaj, parashikimet e ekspertëve të bankave të cituar nga BSH-ja, ofrojnë një situatë jo shumë shpresëdhënëse për muajt në vijim. “Sipas vlerësimeve të ekspertëve të bankave, standardet e kredisë për individët do të vijojnë të shtrëngohen në tremujorin e ardhshëm. Ekspertët presin një shtrëngim të mëtejshëm të standardeve për kreditë me qëllim blerjen e banesës si dhe të financimit të konsumit”, – vijon në raport-vrojtimin e saj Banka e Shqipërisë.

Ekspertët e bankave presin një ulje të normave të interesit gjatë tre mujorit të katërt të këtij viti, kryesisht të kredive në lekë. Një parashikim i tillë vjen në një kohë kur Banka e Shqipërisë uli me 0.25 për qind normën bazë të interesit për lekun duke e zbritur atë në 5 për qind. Madje, për këtë arsye, ekspertët presin një rritje të lehtë të kreditimit në lekë dhe ngadalësim të atij në valutë.

Kreditë e reja

Ulja e kreditimit vërehet edhe në treguesit e Shoqatës së Bankave. Sipas të dhënave të raportuara, mësohet se gjatë muajit gusht kredia është rritur me vetëm 1.5 mld lekë, kundrejt 6.7 mld lekëve që është rritur në muajin korrik

Prill                         5.2 mld lekë
Maj                        6.8 mld lekë
Qershor                  6.6 mld lekë
Korrik                     6.7 mld lekë
Gusht                     1.5 mld lekë

Kreditë e këqija arrijnë 18 %

Kreditë me probleme njohën një rritje tjetër gjatë muajve të verës, pikërisht në periudhën e marrë në shqyrtim nga Banka e Shqipërisë në raportin e saj. Shoqata e Bankave raportoi pak ditë më parë se kreditë me probleme arritën në 18 për qind në fund të muajit gusht nga 17.1 për qind që ishin në korrik. Në total, përllogaritet që shuma e kredive me probleme të jetë rreth 950 milionë dollarë me një rritje 9 milionë dollarë vetëm përgjatë një muaji. Rritja e kredive me probleme është shoqëruar me ulje të fitimeve të bankave. Treguesit e normës së kthimit të kapitalit (ROA), janë ulur gjatë këtyre muajve duke pasqyruar realisht atë ç’ka është duke përjetuar sistemi bankar në vend.

Konsumatorët parashikojnë rritje të çmimeve

Shqiptarët presin të përballen me një valë të re të rritjes së çmimeve të mallrave të konsumit të përditshëm. Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë mbi besimin e konsumatorëve për tre mujorin e tretë të këtij viti raporton pritshmëri negative të qytetarëve në lidhje me ecurinë e çmimeve në muajt e ardhshëm. “Kostoja mesatare e jetesës në tremujorin e tretë 2011 vlerësohet të mos ketë ndryshuar, krahasuar me tre muaj më parë. Çmimet pritet të rriten në tremujorin e ardhshëm dhe të rriten disi gjatë 12 muajve në vijim. Në gjashtëmujorin e ardhshëm, konsumatorët presin rënie të nivelit të papunësisë”, – citon Banka e Shqipërisë. Në përgjithësi, konsumatorët kanë pritshmëri pozitive përgjatë muajve të ardhshëm por kjo është vetëm në një tregues, duke rritur treguesit e besimit të konsumatorëve. Besimi i konsumatorëve, vlerësohet duke marrë në konsideratë katër tregues: blerjet me shuma të mëdha, pritshmëritë për situatën financiare familjare, gjendjen ekonomike dhe situatën në përgjithësi. Të tre treguesit e fundit janë përkeqësuar krahasuar me tre mujorin paraardhës, përveç atij të blerjeve në shuma të mëdha, i cili është rritur.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama