Banoret e Skraparit kthehen te rrenjet e te pareve te tyre

Banoret e Skraparit kthehen te rrenjet e te pareve te tyre

Për të shkuar në Çorovodë duhet të udhëtosh në një rrugë automobilistike që gjarpëron në një nga relievet më panoramike të Shqipërisë. Prej shumë vitesh, bujtësit e këtij qyteti preferojnë më shumë që të thonë se: “Po shkojmë në Skrapar” se sa në Çorovodë. Në fakt “Ujët e zi” i thonë një burimi që është në një nga pyjet më të bukura të halorëve, disa kilometra para se sa të hysh në Kapinovë, në vendin më të preferuar të gjuetisë dhe të shlodhjes së ish-kryeministrit Mehmet Shehu. Tani Kapinova “këndon” tjetër avaz. Nga lokali i Dafinës, në kodrën më mbizotëruese të këmbës perëndimore të Malit të Tomorrit, tani Kapinova është një destinacion turistik ku mbizotëron bisnesi i Zalos me dy pashë mustaqe dhe shumë skrapallinjve të tjerë dhe ku mbizotëron industria më e zhvilluar e gurëve dekorativë në Shqipëri.

 

Pas Kapinovës ja beh dhe vetë Çorovoda, një qytet i vendosur në një strehë sorkadhesh dhe që ndryshon fytyrë nga dita në ditë. Ndryshe nga shumë qytete të tjera të Shqipërisë që flenë me pulat, në këtë qytet më 27 shtator 2014, zhvillohet panairi i katërt i prodhimeve bujqësore bio. Një nënprefekturë me mbi 100 fshatra që në rrënjët e traditës së saj ka prodhimet më të mira të vreshtarisë, pjergullave që stolisin lisat shekullorë dhe kazanëve të bakrit që pikojnë raki rruazë, mbledh nga tërë Shqipëria bijtë e saj për të ngritur një dolli me raki, rehani dhe verë Skrapari. “Kryekrushku” i parë në mënyrë të padiskutueshme për tërë Skraparin dhe më gjerë mbetet zoti Ilir Meta. Rreth tij ka mbi 24 vjet që vërtitet dhe tërë historia e Skraparit. Duket sikur një kombinim i një krushqie mes Çepanit dhe Dusharit ka prodhur një “kryekrushk” të kohëve moderne. Ka diçka tek ky “kryekrushk”. Është bërë më i matur, më i avashtë, flet në mënyrë të drejpërdrejtë dhe ngacmon rrënjët sedrën dhe traditën. Panairi është organizuar me inisiativën dhe sponsorizimin e një fondacioni të një biri tjetër të Skraparit, Bajram Muça që realisht ka bërë më shumë se të gjithë bijtë e tij për këtë qytet. Kjo duket tek fjalët falënderuese të “kryekrushkut”.

 

Pastaj vijnë me radhë “krushqit”, Nasip Naço, Edmond Panariti e shumë e shumë intelektualë djem dhe vajza të kësaj treve me një histori të pasur dhe të thellë si kanionet e Osumit. Në Skrapar kishin ardhur të gjithë nga mbarë Shqipëria për t’u kthyer tek rrënjët. Makinat që sillnin prodhimet bio nga të katër anët e kësaj treve të zgjonin që herët në mëngjes dhe nën tingujt e këngëve të Dule Malinidit dhe Dashuri Hysit, dekoruan tërë cadrat dhe tezgat me tërë prodhimet bio. Djathë, gjalpë, gjizë, mjaltë, verë raki, rehani dhe shumë e shumë prodhime të tjera të kësaj treve. Por në këtë panair ka dhe një erë moderne të prodhimeve industriale. Mobilje cilësore të prodhura nga ahu, pisha, dëllinja e Malit të Tomorrit. Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, foli për tërë perspektivat e kësaj treve dhe pse duhet që të gjithë t’i kthehen bujqësisë. Ndërsa “kryekrushku” Ilir Meta shkoi më tej. Ai u foli bashkëqytetarëve të tij me një gjuhë më të qartë dhe më të drejtpërdrejtë: “Mos e braktisni fshatin, kthejuni traditës së Skraparit në prodhimet e rrushit, ftoit, mollës, shegës, si dhe mjeshtërisë tradicionale në mbarështrimin e tërë blegtorisë që të rroni 100 vjet”. Deri para ca vitesh kishte disa fshatra në Skrapar që kishin deri në 3 pleq që e kalonin moshën 100 vjeç dhe kjo fjalë të ushqimit bio.

 

“Duajeni tokën tuaj”, vazhdoi më tej Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta. “Duajini rrënjët tuaja, ripërtërijeni jetën në këto male të bukura. Kthejuni byrekut, kulaçit, rakisë dhe shumë e shumë prodhimeve të traditës. Kthejuni dhe punojeni tokën dhe mos e braktisni, sepse ajo është rrënja jonë. Mos u lini fëmijëve lekë pa hesap nëpër duar dhe mos u blini makina luksoze se pastaj detyroheni që të vuani tërë jetën”. Këto dhe shumë fjalë të tjera për skrapallinjtë, Meta u tha edhe veçmas kur shkoi në çdo tezgë, në çdo tavolinë, ku bëri foto me çdo fermer dhe pastaj drekoi me ta dhe me ministrat që e shoqëronin, atje në mes të sheshit të Çorovodës.

 

Zoti Nasip Naço, deputet i kësaj treve, gjysmën e kohës e kalon tek rrënjët, sepse e di që tërë sekreti i punëve fillon këtu në Skrapar. Po t’u thanë rrënjët, thotë njëri prej fermerëve. Atëherë je tharë i tëri. Një meritë për këtë “dasmë” vjeshte me rehani në Skrapar ka dhe kryetari i Bashkisë së Çorovodës, Nesim Spahiu. Ai kujdeset që të kurojë jo vetëm panairin, por edhe që të sajdisë tërë miqtë. Në gjerdanin e krenarisë së rrënjëve të Skraparit është dhe familja Ylli, e cila mirëpret në çdo panair me shumë nipër e mbesa. Po a ka probleme Skrapari dhe skrapallinjtë? Trazicion ka qenë i vështirë dhe ata kanë shumë halle dhe probleme. Gjërat duket se po marrin drejtimin e duhur pasi shumë skrapallinj të larguar, por kthimi tek rrënjët, së paku, ka filluar. 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama