“Bardha e Temalit” është botimi i fundit i “Naim Frashërit”, sipas përkthimit nga frëngjishtja të Sotir Cacit me parathënien e Dhimitër Shuteriqit, vepër që nuk është shpërndarë akoma si duhet në treg. Po nuk është vetëm kjo. Për “Bardhën” e Vasës thuhet se është libër i piratuar në gjithë këto vite. Është e vërtetë? Pyetëm drejtorin prej dy vitesh e gjysmë të shtëpisë botuese “Naim Frashëri” që nuk i ka mbeturgjë nga lavdia e dikurshme. “As që diskutohet dhe ka të njëjtin fat që kanë dhjetëra e dhjetëra tituj të marra nga “Naim Frashëri”. E kanë botuar 2-3 shtëpi botuese emrat e të cilave nuk mund t’i them tani, por që botimet kanë qenë pa etiketën e “Naim Frashërit”,” na tha Bahri Myftari. “Faktikisht, - do thoshte ai, - botimet pirate nuk ma merr mendja se gjenden në qarkullim, duke tatuar pulsin e tregut dhe kërkesat, veç kësaj ai botim që më ka rënë mua në dorë nuk është absolutisht i krahasueshëm me tonin.”
Në të vërtetë as vetë ky “Naim Frashër” që drejton Myftari nuk tregohet i sinqertë deri në fund me botimin. Në faqen e të dhënave jepet edhe numri i celularit të drejtorit, por jo të dhënat për ribotimet që i janë bërë “Bardhës” në vite.
Libri në fjalë ka një fjalë hyrëse të Dhimitër Shuteriqit. A nuk do ishte mirë që botimi i rrallë të kishte edhe një vështrim studiuesi të kohës sonë, për t’i bërë një lexim “tjetër” veprës së vitit 1890? “Po, po, e kam pasur parasysh edhe këtë që thua ti, po studiuesit e përkthyesit ku t’i gjesh” përgjigjet Myftari.
Parafjala e Shuteriqit na çon në vitet e regjimit kur feja, një element që ai e merr për diskutim nga romani “Bardha e Temalit” shihet si një “kufizim i autorit”, i cili “nuk e ka kuptuar se sa false dhe e paaftë është për të sjellë emancipimin shoqëror, për të siguruar një të ardhme më të mirë”.
Në prezantimin që i bën Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve shtëpisë botuese “Naim Frashëri” thotë se pas viteve 90-të, kjo shtëpi duke larguar njëherë e mirë parimet dogmatike të trashëguara nga realizmi socialist, u përpoq dhe mundi të kapë kohën, të shfrytëzojë traditën e mirë, të shfrytëzojë hapësirat e reja, dhe të vërë për kryefjalë: cilësinë, vlerën e veprave apo të autorit.
Pikërisht për fotokopjimin e leximit të traditës ishte fjala, kur drejtori Myftari që është vetë shkrimtar, e ktheu: “Edhe sikur të kenë bërë ndonjë gabim të vogël ata “të vjetrit”, janë shumë të falshëm në krahasim me gabimet dhe ato që ndodhin sot në letërsi. Kështu që nuk mund t’i heqësh dot asgjë këtij botimi. Këtë jua them jo vetëm si nostalgji, jo vetëm si elbasanas, por realisht parathënia e Shuteriqit është shumë ndihmuese për lexuesin. Veç kësaj përkthimi është bërë nga një kryemjeshtër i frëngjishtes si Sotir Caci”.
Ashtu siç nuk kishte arsye dikur t’ia priste mendja njeriu, as vetë Sotir Cacit, “Naim Frashëri” i paguan të drejtë autori, e në mos qoftë, gjallë paguan trashëgimtarët.
Kështu vajzës së Cacit i ka takuar të marrë 30 mijë lekë të cilat familja e saj me dashamirësi nuk i ka tërhequr fare.
“Naim Frashëri”, pasi është mjelë sa është tharë, sot mbahet nga tre njerëz: drejtori, ekonomisti dhe menaxheri. Ajo boton letërsinë shqiptare të traditës dhe autori kryesor është Naim Frashëri. Po sot nuk është gjë e re ribotimi i Frashërit, Asdrenit, Çajupit, sepse janë autorë të programeve shkollore. Në të kundërt, është i kuptueshëm edhe ky pak shërbim që i është bërë “Bardhës së Temalit”. Shkurt: pasuria e “Naim Frashërit” thënë nga goja e drejtorit Myftari, “janë veprat që kanë mbetur, ato pak që kanë mbetur, kryesisht të Naim Frashërit. Është në interes të shtetit që ta mbajë këtë shtëpi botuese për të zbatuar politikat e veta”.
Le t’i kthehemi “Bardhës” jeta në të ardhmen e të cilës është e lidhur me këtëpanoramë të viteve dymijë. “Barda de Témal”, në origjinal ose “Scenes de la vie albanaise” u botua Paris më 1890 nga Albeert Savine, me pseudonimin Albanus Albano. Është quajtur një roman shoqëror, një roman dokesh e zakonesh që për kohën kur është shkruar ngre probleme të rëndësishme si emancipimi i gruas. Bardha nga Temali përballet me kodet më të ashpra me të cilat një grua e kohës së saj dhe më vonë e kish lidhur jetën: martesë me një burrë të panjohur. Dhe në horizonte, aq e rrallë, shfaqet si shpëtim një dashuri me “një njeri qytetar”. “Pashko Vasa është mjeshtër në dhënien e nuancës dialektore. Nëse ka ndonjë naivitet në hartimin e konfliktit, është normale”, thotë botuesi Myftari. Ai e quan një peizazhist të jetës shkodrane, vend ku Vasa u lind, “një rilindas i madh edhe në letërsi”.
Elsa Demo : Gazeta Shekulli