Edhe te femrat, finalja do të jetë një derbi i kryeqytetit TiranaBarleti Volej. Tirana ishte finalistja e parë e këtij edicioni falë fitores së pastër që arriti dje në pallatin e sportit "Tamara Nikolla" të qytetit të Korçës me rezultatin e pastër 3-0 dhe udhëhoqi 2-0 serinë. Ndeshja e parë në kryeqytet kishte përfunduar po me fitoren e pastër të kryeqytetaseve, të cilat edhe dje treguan se janë pretendente për fitimin e titullit kampion për këtë sezon.
Afërsisht një orë ka zgjatur ndeshja e djeshme, teksa vlen për t'u veçuar se kanë qenë mbi 200 tifozë në shkallët e pallatit të sportit, diçka vërtet e bukur, por që nuk mundën të ishin shtysë për skuadrën e tyre të zemrës. Skënderbeu dje vuajti edhe dëmtimin e pasueses kryesore dhe kjo sigurisht që ia bëri më të lehtë punën Tiranës. Seti i parë i ndeshjes fillon menjëherë me avantazhin e mikeve 3-8, 9-15, 16- 22 dhe më pas mbyllet 17-25 në favorin e bardhebluve.
Pritej që në setin e dytë të kishim ndonjë reagim nga ana e korçareve, por sigurisht përvoja bën të sajën dhe Tirana kryeson 2-7, 6-14 dhe në vazhdim ky set është më i lehtë për t'u fituar nga ana e ekipit mik. 14-25 është rezultati përfundimtar i setit të dytë dhe i treti është akoma edhe më i lehtë për Tiranën që e fiton thellësisht 12-25 dhe krejt ndeshjen 0-3.
Në këtë mënyrë Tirana kalon në finale pa probleme, teksa në gjysmëfinale ka hequr nga lufta një skuadër krejtësisht me vajza të reja si Skënderbeu, ndërkohë që për sa u përket vendëseve duhen thënë fjalët më të mira në këtë sezon, teksa janë renditur në vendin e tretë. Skuadra kampione ishte finalistja e dytë e "play off"-it.
Kryeqytetaset mposhtën lehtësisht Teutën në Durrës, duke bërë që edhe për një vit tjetër titulli në finish të jetë i varur nga duart e tyre. Dje në mbrëmje, në "Ramazan Njala", nuk pati shumë rivalitet, edhe pse ishte ndeshje gjysmëfinale. Përballë qenë dy skuadra të ndryshme në eksperiencë dhe cilësi. Në njërën anë kampionet me kualitet të padiskutueshëm për standardet e kampionatit tonë dhe në anën tjetër Teuta, një skuadër simpatike, por me një moshë mesatare shumë të re.
Pavarësisht dëshirës dhe përpjekjeve maksimale që bëri skuadra e trajnerit Edmond Jazenxhiu, asgjë nuk ndryshoi, pasi kundërshtari dominoi gjithçka. Që në setin e parë Barleti Volej tregon shpejt "brirët", duke u shkëputur ndjeshëm dhe mbyllur pa problem 12-25. Edhe në dy setet e tjera kampionet në fuqi nuk hasin probleme, pavarësisht shkëndijave pozitive të herëpas-herëshme të vendëseve. 0-3 në sete dhe Barleti Volej do të diskutojë sërish titullin kampion.
SKËNDERBEU-TIRANA 0-3 (0-2)
(17-25, 14-25, 12-25)
SKËNDERBEU: Bershiri, N. Shahu, Nastas, E. Bego, Demiraj, Kole, A. Bego (L), Kapedani (L)/ Potomi, Male, Zguri, Nasto. Trajner: M. Shahu
TIRANA: Hoxha, Shkurti, Pira, Blloku, Tuci, Nezaj, Sejfullai (L)/ Lasku, E. Meta, R. Meta, Shira, Shehi. Trajner: A. Gorenca
GJYQTARË: A. Shehu, F. Mujo
TEUTA-BARLETI VOLEJ 0-3
(12-25, 9-25, 12-25)
TEUTA: Begiçi, Guza, Saliu, Rexhepi, Nurja, Cuka, Disha. Trajner: E. Jazenxhiu
BARLETI VOLEJ: Braho, Xhixha, Bici, Xheka,Thaka, Xhelilaj, Shabaku, Celej, Tuci, Brati, Hasku, Zeqirllari. Trajner: H. Gurabardhi
GJYQTARË: E. Feshti, E. Zenunllari
Përgatiti: Ll.Saro/R.Gjini