Kuvendi i Shqipërisë u mblodh sot në një seancë të veçantë, duke i hapur dyert Presidentit të KE-së, Jose Manuel Barroso, i cili përshëndeti dhe inkurajoi deputetët shqiptarë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë. Ai shprehu bindjen e tij se Bashkimi Evropian, ka si synim kryesor bashkimin me Evropën Juglindore dhe se pa këtë të fundit, bashkimi i Evropës nuk quhet i plotë.
Pas vlerësimit për marrjen e statusit, ai i siguroi deputetët shqiptarë se Evropa nuk është krejtësisht e bashkuar dhe nuk ka si të jetë pa përfshirjen në të edhe të Europës Juglindore.
“Është një nder i veçantë për mua, që të flas para jush vetëm disa ditë pas vendimit historik atij për ti dhënë Shqipërisë statusin kandidat, një vendim të propozuar nga institucioni që unë drejtoj. Jam i kënaqur që këtë moment historik e ndaj me ju. Prej këtu fillon një fazë e re premtuese, i jep shtysë progresit të mëtejshëm se perspektiva e vendeve të Evropës Juglindore është diçka reale, ne i mbajmë premtimet tona kur partnerët tanë arrijnë progres”, tha ai.
“Para 10 vitesh ne bashkuam Lindjen dhe Perëndimin pas dekadash ndarjesh. Nuk do jetë i plotë bashkimi i Evropës pa Evropën Juglindore, nga Tirana në Sarajevë nga Beogradi në Prishtinë njerëzit e shohin BE-në si shpëtim”, shtoi ai.
Duke folur për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Presidenti i KE-së theksoi se ai është një projekt paqeje, që arrihet nëpërmjet ndarjes së sovranitetit të secilit shtet anëtar. Ky bashkim arrihet “duke ndarë sovranitetin tonë, duke mbledhur sovranitetin e secilit vend që aderon në BE”, deklaroi Barroso.
Barroso shprehu bindjen se Shqipëria do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, por theksoi se kjo arritje kërkon punën dhe angazhimin e vet shtetit, dhe se përgjegjësia më e madhe varet nga përkushtimi ynë:
“Unë besoj, se Shqipëria do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, besoj te ky hap, i statusit të vendit kandidat, por tani shumica e punës varet nga ju, si përfaqësues i këtij populli, të cilin e respektojë shumë. Unë besoj se ju mund të merrni të mirat e anëtarësimit në BE, por mund të jepni dhe kontribut për të dhënë stabilitet në këtë rajon".
Barroso e mbylli fjalimin duke shprehur mbështetjen e Komisionit Evropian, i cili do të vazhdojë të mbështetë dhe të ndjekë zhvillimet dhe zbatimin e reformave nga Shqipëria:
“ Komisioni Evropian do të vazhdojë të punojë bashkë me ju, me miqësi dhe përkushtim që së bashku me popullin shqiptar të shkruajmë të ardhmen evropiane të vendit dhe kapitujt e historisë së Shqipërisë”, deklaroi Barroso.