Presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso ka mbërritur për një vizitë zyrtare në Tiranë. Agjenda e vizitës nisi në selinë e Kryeministrisë në takimin me kryeministrin Edi Rama. Pas ceremonisë së pritjes së Presidentit të KE-së dhe takimit zyrtar, Barroso e Rama do të dalin para mediave për një konferencë të përbashkët për shtyp, ku në qendër do të jetë inkurajimi për vijimin e reformave. Presidenti i Komisionit Europian do t’i drejtohet më tej Parlamentit, përpara të cilit do të mbajë fjalën përshëndetëse.
Të pranishëm do të jenë dhe deputetët e opozitës, të cilët së fundi kanë bojkotuar parlamentin. Presidenti Barroso do të takohet dhe me Presidentin Bujar Nishani dhe më pas në Presidencë do të zhvillohet dhe ceremonia e dekorimit të tij nga Kreu i Shtetit shqiptar. Në agjendën në kryeqytetin shqiptar, kreu i Komisionit Europian gjithashtu ka të parashikuar vizitë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, e ndërtuar me fondet e Bashkimit Europian. Kjo është vizita e fundit e Barrosos në Tiranë si President i KE-së. Ai është në fund të mandatit të tij. Vizita e Barroso vjen në një moment, kur BE-ja ka vendosur pro statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.