Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha bëri sot thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën për të rrëzuar kryeministrin Edi Rama. Basha foli në mbledhjen e Grupit Parlamentar ku kerkoi impenjim maksimal nga strukturat per organizimin e protestes.
“Qëkurse nisëm betejën kundër narkotrafikut me symbyllje, syshkelje dhe ortakëri qeveritare kemi qenë të vetëdijshëm e jemi të vetëdijshëm se kjo është një betejë më e vështirë se shumë të tjera që kemi zhvilluar e do të vazhdojnë të zhvillojmë në kursin tonë si opozitë. Kemi qenë të vendosur e jemi me të vendosur se kurrë për ta zhvilluar e fituar me çdo kusht, bashkë me aleatët tanë opozitare, me shoqërinë civile, qytetarët shqiptarë që po bashkohen me ne, jo se të gjithë janë me Partinë Demokratike sa i takon përkatësisë apo simpatisë partiake, por ngaqë e kanë kuptuar dhe po e kuptojnë çdo ditë se kjo betejë nuk është politike por kombëtare, nuk është për të fituar pikë njëra apo tjetra forcë politike, por për të shpëtuar vendin tonë të përbashkët nga më i madhi i rreziqeve, që është ai i krimit të organizuar me suport politik dhe me shtrirje në vetë strukturat e qeverisë dhe institucioneve shtetërore. Ky rrezik nuk është më teorik, por real, me real se kurrë. Nuk është më në horizont, por i shtuar këmbëkryq”, tha Basha në nisje të fjalës së tij.
Basha tha se PD do të udhëheqë protestat për “largimin e Edi Ramës dhe kupolës së tij nga drejtimi i qeverisë”
Duke e cilësuar protestën e kësaj jave “mbarëpopullore”, basha tha se ajo do të mbahet para kryeministrisë nën moton “Një popull në këmbë kundër drogës- Edi Rama, në shtëpi”.
Kreu i opozitës kërkoi nga deputetët që të bëjnë përpjekje në zonat e tyre që kjo të jetë “një nga protestat më madhështoret që ka njohur demokracia”.
“Qytet me qytet, lagje me lagje, fshat me fshat, derë me derë, kokë me kokë me njerëzit, për t’u thënë tonat pse jemi kaq të shqetësuar dhe pse kemi dalë me këtë zgjidhje, për të dëgjuar të tyret dhe për tu përbashkuar në veprimin, për aksionin, për protestën sot, për zgjidhjen e këtij halli të madh që po pllakos vendin”, tha më tej kreu demokrat.