Basha -Fleckenstein Mazhoranca ska vullnet per dekriminalizimin opozita e vendosur per ligjin

IMG_2786TIRANË, 24 Tetor /ATSH/ - Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti sot Raportuesin për Shqipërinë pranë Parlamentit Europian, Knut Fleckenstein.

Në fokus të bisedimeve ka qenë dekriminalizimi, ku kryetari i PD-së, Basha, ka vlerësuar mbështetjen e eurodeputetit Fleckenstein për procesin e dekriminalizimit dhe angazhimin e tij për t'i shkuar deri në fund këtij procesi.

Basha ka shprehur shqetësimin në mungesën e vullnetit nga ana e mazhorancës për të bërë dekriminalizimin e politikës dhe administratës, pasi një vit nga arritja e marrëveshjes me ndërmjetësimin e eurodeputetëve Fleckenstein dhe Kukan, procesi vazhdon të zvarritet nga mazhoranca për të mbrojtur personat me rekorde kriminale që i ka promovuar në pushtet.

"Partia Demokratike e ka propozuar që para zgjedhjeve vendore projektligjin per dekriminalizimin, por nuk u pranua me qëllimin e vetëm që të kandidojë persona me rekorde kriminale, të cilat fituan dhunshëm në zgjedhjet e kapura dhe të prishura të 21 qershorit, siç u faktua dhe në raportin e OSBE/ODHIR-it. Përveç tyre, Basha bëri të ditur se me dhjetra persona të tjerë me rekorde kriminale u emëruan në administratën e qeverisjës qendrore dhe vendore.

Kryetari i Partisë Demokratike, Basha, shprehu vendosmërinë e opozitës për kalimin e ligjit për dekriminalizmin dhe ç'është më e rëndësishmja, implementimin e tij. "Nxjerrja e kriminelëve jashtë nga Kuvendi, jashtë nga zyrat e kryetarëve të bashkive, nga administrata, jashtë nga sferat e vendimmarrjes, është pritoritet i Partisë Demokratike", tha Basha.

Gjithashtu, në këtë takim u diskutua për reformën në drejtesi, aferën CEZ, korrupsionin galopant, evazionin dhe kontrabandën nga oligarkët e lidhur me qeverinë, represionin mbi biznesin e vogël dhe qytetarët dhe krizën e ekonomike që ka mbërthyer vendin./i.v/./a.ke/f.n/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama