Basha Bashkimi i shqiptareve ne kete shesh mbylli parlamentin largoi Meten nga detyra

Basha: Bashkimi i shqiptareve ne kete shesh mbylli parlamentin, largoi Meten nga detyra

Ashtu siç ishte lajmëruar, rreth orës 11:00 të paradites së sotme ka nisur grumbullimi dhe marshimi i mbështetësve të Partisë Demokratike nga sheshi ‘Skënderbej’ drejt kryeministrisë, aty ku kreu i demokratëve pritet të mbajë edhe një fjalim. Me parulla ku kërkohej dorëheqja e kryeparlamentarit Ilir Meta dhe largimin e klikës Rama-Meta, simpatizantët e PD të ardhur që në orët e mëngjesit nga rrethe të ndryshme të vendit, i janë bashkuar thirrjes së PD për të protestuar kundër qeverisë.

Basha: Bashkimi i shqiptarëve në këtë shesh mbylli parlamentin, largoi Metën nga detyra

Kreu i Partisë Demokratike duke folur para qindra mijëra mbështetësve të mbledhur përpara kryeministrisë deklaroi se bashkimi më i madhi shqiptarëve në këtë shesh i detyroi qeveritarët të mbyllin parlamentin dhe pushoi Ilir Metën nga detyra e kreut të Kuvendit. Basha i bëri thirrje dyshes Rama-Meta të shohin mirë bashkimin e shqiptarëve nga të gjitha anët e vendit dhe të largohen nga qeveria.

“Shqipëria e pa, bota e pa se pamja e bashkimit të shqiptarëve sot në këtë shesh mbylli parlamenti dhe pushoi Metën nga detyra e kreut të kuvendit. Rama-Meta shikojeni bashkimin e shqiptarëve dhe largohuni”, tha Basha.

Basha akuzoi qeverinë si përgjegjëse për gjendjen e mjeruar në të cilën gjenden sot shqiptarët, një qeveri që sipas kryedemokratit nuk ka bërë asnjë akt të vetëm për të lehtësuar popullin, por ka bërë gjithçka për t’i shtypur, duke rritur taksat, çmimin e energjisë elektrike, rritjen e varfërisë që ka çuar në vetëvrasje shumë njerëz.

“Qeveria e Ilir Rama dhe ilir Meta kanë përmbysur jetën e shqiptarëve, çmimi i energjisë është rritur, kurrë s’ka pasur kaq të papunë mes nesh. Kanë rritur taksat, kanë shtypur populli. Kjo qeveri nuk ka bërë asnjë akt të vetëm për të lehtësuar qytetarët, por kanë çuar në vetëvrasje shumë njerëz, kanë arrestuar mijëra vetë. Kudo shesh mjerim, varfëri, papunësi, por këta oligarkë po mbushin xhepat, në çdo zyrë të qeverisë ka vjedhje, makutëri për pasurim të shpejtë”, tha Basha.

Duke iu referuar çështjes kryesore për të cilën PD thërriti sot në shesh mbështetësit dhe simpatizantët e vet, çështjes së shumëpërfolur ‘Doshi’ dhe akuzat e drejtuara ndaj kreut të kuvendit, Ilir Meta si porositës i vrasjes së tij, Basha i bëri thirrje kryeministrit Rama të ndalë presionet ndaj Prokurorisë dhe drejtësisë, ndërsa i kërkoi edhe një herë Ilir Metës të japë dorëheqjen dhe të vihet përpara drejtësisë. Sipas Bashës, gjendja është akoma më e rëndë kur akuzat bëhen nga deputeti më i besuar dhe më i afërt i qeverisë, Tom Doshi. Kryedemokrati ka kërkuar nga qeveria të mos e përfshijë opozitën në këtë çështje, që sipas tij ka ardhur për shkak të prishjes së pazareve të pista mes tyre.

“Rama, Metën dhe Tahiri, të cilët mbajtën të fshehtë gjithçka dhe tani mundohen t’ia faturojnë përgjegjësinë opozitës, duke aluduar për afrimin e deputetit Doshi me PD-në”, tha Basha.

Qindra autobusë nga rrethet, drejt Tiranës në protestën e PD

Dhjetëra autobusë nga rrethe të ndryshme të vendit janë nisur në mënyrë të organizuar drejt Tiranës për të marrë pjesë në protestën që do të organizohet sot rreth orës 11:00 nga Partia Demokratike. Kështu, mësohet se nga qyteti bregdetar i Vlorës janë nisur 5 autobusë me protestues. Po ashtu, disa furgonë janë nisur nga fshatrat e komunës Novoselë për t’u bashkuar në kryeqytet. Automjetet janë nisur rreth orës 7:30 nga Vlora për të qenë në Tiranë në orën 11:00, kur nis dhe protesta, e cila sipas organizatorëve do të jetë paqësore.

Po kështu, 5 autobusë me mbështetës të PD janë nisur nga Shkodra drejt Tiranës, ndërkohë që shumë mbështetës të PD janë nisur me automjetet e tyre personale drejt kryeqytetit. Nga Shkodra mendohet të jenë nisur në total rreth 6 mijë protestues. Ndërkohë, sipas PD së Dibrës, 4 mijë protestues janë nisur nga ky qark për në Tiranë, ndërsa sipas PD-së së Korçës, nga ky qark janë nisur 4 autobusë dhe qytetarë të tjerë që kanë udhëtuar me mjete persona, në total rreth 4 mijë persona.

Siç ishte lajmëruar, policia ka ngritur postoblloqe në të gjitha akset kryesore. Mjetet që transportojnë pjesëmarrësit në protestë janë kontrolluar nga ana e policisë rrugore dhe asaj të rendit e më pas ka vijuar udhëtimi drejt kryeqytetit. Nuk ka njoftime për ndonjë të ndaluar apo të shoqëruar, si dhe për incidente.

Mbështetësit e Metës, antimiting te selia e LSI

E ndërkohë, qindra simpatizantë të LSI-së, të cilët kanë ardhur edhe nga rrethet janë mbledhur pranë selisë së kësaj force politike, në mbështetje të kreut të saj, Ilir Meta, dorëheqja e të cilit është në qendër të kërkesave të protestuesve të sotëm.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama