Basha Do ta bejme Tiranen qytetin me modern ne Ballkan

Basha: 'Do ta bejme Tiranen qytetin me modern ne Ballkan'
Në “Sofrën Tiranase”, të zhvilluar nga shoqata “Tirana” për të pesëmbëdhjetin vit, i ftuar nderi  ishte edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i cili për të dytin vit radhazi e mbështet “Sofrën Tiranase”. Kryetari i shoqatës “Tirana”, z. Arben Tafaj ka shprehur mirënjohjen ndaj kreut të Bashkisë, Lulzim Basha, i cili këtë vit, për herë të parë përkujtoi në mënyrë madhështore ngritjen e flamurit në Tiranë, më 26 nëntor të vitit 1912, si dhe e përjetësoi këtë moment, në një mozaik të vendosur pikërisht në vendin ku u ngrit flamuri 100 vjet më parë.

Kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha e ka cilësuar Tiranën, qytetin magjik ku ëndrrat dhe dëshirat e shqiptarëve nga shumë qytete të vendit janë bërë realitet: “Unë jam kryetar i Bashkisë së një qyteti “magjik”, të një qyteti ku njerëzit vijnë nga shumë qytete e rrethe të tjera dhe mbeten në “mjaltin” dhe magjinë e Tiranës. Vijnë dibranë e vijnë korçarë, vijnë vlonjatë e vijnë shkodranë, vijnë elbasanllinj, kavajas edhe durrsakë dhe pasi vijnë, të gjithë thonë “jemi tiranas”. Dhe tiranas janë, ata që zgjedhin këtë qytet të magjishëm, shpresën e kombit tonë, ëndrrën për një jetë më të mirë, por sonte mirënjohja nuk i takon as Bashkisë, as qeverisë, z. Kryeministër, as ndonjë faktori tjetër, por u takon atyre pa të cilët, të gjithë këta qytetarë nuk do të mund t’i thonin dot vetes “tiranas”, u takon “tiranasve, dem baba dem”, autoktonëve të këtij qyteti!”
 
Basha shprehu angazhimin e tij, që së bashku me qeverinë qendrore, e cila po mbështet projektet e Tiranës moderne dhe evropiane, ta kthejnë Tiranën në një prej qendrave më moderne në Ballkani. “Ashtu siç na ka bashkuar e na bashkon ky qytet, në zemrën e tij, ashtu siç na ka shndërruar dhe vazhdon të na shndërrojë në “tiranas”, ashtu ne i kemi borxh këtij qyteti, ta çojmë më përpara, të “kënojnë prapë bylbylat”, lulet të jenë gjithandej, infrastruktura të përmirësohet, jeta e qytetarëve të ketë standarde moderne dhe evropiane. Unë besoj se punën e kemi filluar dhe meqë punën e kemi filluar për së mbari, dua të falenderoj për kontributin e veçantë, në shumë prej punëve kryesore në këtë qytet, qeverinë dhe Kryeministrin Sali Berisha, por puna sapo ka filluar.

Të jeni të sigurtë, që shumë më shumë punë na pret, ndaj na duhet kontributi i gjithë qytetarëve të Tiranës, i gjithë bashkëpatriotëve dhe bashkëqytetarëve të mi, i “tironseve” dhe “tironsave” si dhe të gjithë të tjerëve që i thonë këtij qyteti “shtëpia ime”, që në vitet që vazhdojnë, punët e mira që kemi nisur t’i çojmë përpara dhe qytetin tonë ta kthejmë jo vetëm në qytetin e magjishëm të shqiptarëve kudo që ndodhen por edhe në qendrën moderne dhe evropiane, që ta ketë zili i gjithë Ballkani!” - u shpreh Kryebashkiaku Basha.
 
Në këtë aktivitet, shoqata “Tirana” ka nderuar me titullin “Fisnikëria tiranase”, familjen e Mustafa Muharrem Mara (Drita), me motivacionin: “Për kontributin e dhënë, në shërbim të kombit dhe progresit, patriotit të shquar, intelektualit mendjendritur". Titulli iu dorëzua mbesës së Mustafa Muharrem Mara, nga kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha. Për kontributin e dhënë në integrimin kulturor të faktorit shqiptar në botë, Këshilli drejtues i shoqatës “Tirana” ka nderuar me çmimin “Tirana 2012”, z. Raif Hyseni. Ky çmim iu dorëzuar Hysenit, nga ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama