Basha Do te ulim taksat shqiptaret po jetojne ditet e depresionit ekonomik

basha-TIRANË, 28 Tetor /ATSH- I. Vata/ -Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka deklaruar se shqiptarët po jetojnë ditët e depresionit ekonomik nga veriu në jug, nga keqeverisja, zgjidhja jonë është ulja e taksave.

Kryetari i Partisë Demokratike, Basha, bënë të ditur nëpërmjet faqes zyrtare Facebook se ka zhvilluar një takim me banorët e Fierit, ku u shpreh se "Shqiptarët po jetojnë ditë për ditë depresionin ekonomik dhe psikologjik, që është produkti i vetëm i qeverisjes së Rama-Meta dhe këtë po e prekim dhe shohim kudo, nga jugu në veri, me demokratë e socialistë e njerëz pa flamuj partiake".

"Ndërkohë që Edi Rama është në luks të shfrenuar në hotelet më të shtrenjta të Hong-Kongut, Banka Botërore deklaron se Shqipëria ka rënë në pikatë për sa i përket klimës së biznesit, prej korrupsionit, politikës arbitrare me energjinë, me biznesin, me taksat. Vetëm në 10 muajt e fundit oligarkët dhe mafia qeveritare e lidhur me të kanë bërë 100 milionë dollarë pasuri vetëm prej Albpetrolit. 100 milionë dollarë taksa që nuk janë paguar, 30 milion TVSH e papaguar vetem nga rafineria. Prandaj koha ka ardhur të gjejmë së bashku rrugët e daljes nga kjo situate. Premtimi im dhe vendimi i parë i qeverisë së re të demokratëve, do të jetë ulja më e madhe e taksave që ka përjetuar ndonjëherë ky vend", tha Basha.

Po ashtu, Basha theksoi se "Do te ulim tatimin mbi fitimin në 9%. Do te rrisim nivelin e biznesit të vogël deri në 12 milionë lekë. Deri në 2 milionë lekë, biznesi i vogël do të paguajë vetëm 10 mijë leke në vit. Për xhiro deri në 12 milionë lekë taksa maksimale nuk do të kalojë 60 mijë leke në vit. Kjo taksë do të paguhet dhe do të verifikohet përmes pullës fiskale të vendosur në një nga xhamat e biznesit dhe kjo pullë fiskale, do të jetë tabela e ndalim -kalimit për bandat e tatimorëve dhe për inspektoriatët që po i marrin shpirtin biznesit. Ulja e taksave do të riktheje ne xhepat e shqiptareve mbi 650 milionë euro, para që sot zhduken në kontot e qeverise se korruptuar te Edi Rames. Ne do të ulim çmimin e energjisë, duke e ulur me 15% TVSH-në per biznesin dhe me 19% TVSH-në për të gjithë konsumatorët. Dhe falje pa kushte te te gjithe kamatvonesave. Ne do të ulim çmimin e naftës, duke hequr taksën prej 240 lekë për litër". /a.ke/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama