Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi sot se protesta e një dite më parë do të pasohet me protesta të tjera të shumta në mënyrë që qeveria të plotësojë të gjitha detyrat për të cilat është zotuar. Në një deklaratë për mediat ditën e sotme ai i drejtoi Kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Parlamentit Ilir Meta disa kërkesa, plotësimi i të cilave, sipas tij do të hapnin rrugën e bashkëpunimit dhe konsensusit mes palëve politike në Shqipëri.
Duke folur në emër të opozitës, Basha kërkoi tërheqjen e Aktit Normativ të Ligjit për Nëpunësin Civil dhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që e cilësoi atë antikushtetues, ndaljen e luftës politike kundër institucioneve të pavarura, pranimin e konsensusit politik në të gjitha hallkat e procesit të reformës territoriale, uljen dhe përcaktimin e një plani të detajuar masash në funksion të marrjes së statusit kandidat, marrjen e përgjegjësive për premtimet elektorale të bëra nga opozita e djeshme, sot mazhorancë.