TIRANË, 20 Tetor/ATSH-Anila Struga/.- Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha akuzoi të martën drejtuesit e koalicionit qeverisës se po zvarrisin hetimin ndërkombëtar të çështjes CEZ.
Basha tha se hetimi i skemës më të madhe të korrupsionit është guri i themelit për stabilitetin e vendit dhe të ardhmen e tij.
Çdo ditë që kalon pa bërë transparencë dhe pa nxjerrë para drejtësisë fajtorët e kësaj afere, tha Basha, është kthim pas, ndërsa zvarritja që po i bëhet hetimit ndërkombëtar është e qëllimshme dhe themeli i çështjes. "Provat dhe faktet për këtë aferë janë publike, si nga mediat ndërkombëtare, nga Avokati i Shtetit dhe nga KLSH.
Shqiptarët kërkojnë transparencë dhe drejtësi dhe opozita për këtë ofroi instrumentin e saj për transparencë, që është pr/ligji që lejon hetimin e çështjes CEZ. Por, kjo transparencë po zvarritet nga qeveria e cila zvarrit kërkesën e opozitës, pasi do të fitojë kohë", tha Basha në një deklaratë për shtyp nga selia e PD-së.
Sipas tij, me këtë maxhoranca qeverisëse do të mbajn larg hetimin dhe drejtësinë, por afera CEZ i kushton shqiptarëve 200 euro për frymë.
Duke denoncuar sërish marrëveshjen e qeverisë shqiptare për zgjidhjen me mirëkuptim të kontratës me kompaninë ceke, Basha e konsideroi atë 'një pakt kriminal dhe një gur fundosës për financat e shtetit'./m.m/