TIRANË, 23 Tetor /ATSH- I. Vata/ -Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka marrë mbështetjen e drejtuesve më të lartë të institucioneve europiane dhe drejtuesve të partive e qeverive të vendeve antare, për iniciativën e Partisë Demokratike, për dekriminalizimin, thuhet në një deklaratë për mediat nga Partia Demokratike.
Kryetari i Partisë Demokratike, Basha pas pjesëmarrjes me të drejtë vote në kongresin e PPE, shprehet se "në të gjitha takimet që kam patur në Madrid me të gjithë përfaqësuesit e qeverive apo institucioneve europiane kam marrë mbështetje dhe përgëzime për qëndrimin tonë për sa i përket pastrimit të politikës shqiptare. Në radhë të parë të Parlamentit, por edhe të pushtetit vendor dhe qeverisë nga personat me rekorde të tmerrshme kriminale".
"Mazhoranca vazhdon me këmbëngulje të mbrojë veprën e saj, gjëmën e tyre të shëmtuar për Shqipërinë dhe shqiptarët, inkriminimin e politikës. Siç është dhe rasti i fundit kur e refuzuan të heqin mandatin e Mark Frrokut, për të cilin ndërkohë ka nisur gjyqi në Belgjikë. Ne jemi te vendosur për kalimin e ligjit për dekriminalizmin dhe ç'është më e rëndësishmja implementimi i këtij ligji, nxjerrja e kriminelëve jashtë nga Kuvendi, jashtë nga zyrat e kryetarëve të bashkive të cilat fituan dhunshëm në zgjedhjet e kapura dhe të prishura të 21 qershorit, jashtë nga sferat e vendimmarrjes. Rikthimi i vendimmarrjes qytetarëve dhe jo klaneve kriminale që e kanë zaptuar për të rrjepur popullin, asetet publike, pasuritë publike dhe vendimmarrjen publike është misioni ynë", tha Basha.
Ndërsa për çështjen e CEZ, Basha ka shprehur dhe njëherë vendosmërinë e opozitës për t'i shkuar deri në fund zbardhjes se kësaj afere korruptive. Nuk ka rrugë tjetër për Shqipërinë përveç një hetimi të mbështetur nga ekspertiza ndërkombëtare.
/f.n/