Çerdhja nr.35
Me një fond prej 11.1 milionë lekësh kanë nisur sot punimet për rikonstruksionin total të çerdhes nr. 35, në Njësinë Bashkiake numër 7, e cila u shërben 100 fëmijëve. Projekti i rikonstruksionit të kësaj çerdheje parashikon përmirësimin e planimetrisë ekzistuese në riorganizimimin e ambienteve të brendshme të çerdhes, duke mundësuar krijimin e ambienteve të argëtimit, të fjetjes, kuzhinës, lavanderisë, dhomën e mjekut, të psikologut etj. Ambientet e ndenjes dhe të fjetjes do të shtrohen me parket, do të vendosen dyer e dritare të reja, do të realizohet veshje e mureve të jashtme me kapotë, në mënyrë që çerdhja të jetë e ngrohtë gjatë dimrit dhe e freskët gjatë verës, do të kryhet rikonstruksioni i çatisë, etj. Çerdhet pritet të përfundojnë punimet brenda 6 muajsh.
Çerdhe të reja
Në të njëjtën kohë po planifikohet edhe ndërtimi i çerdheve të reja, pasi nevojat sot janë dy herë më të mëdha se kapacitetet ekzistuese. “Aktualisht, Bashkia e Tiranës, nëpërmjet sistemit publik të çerdheve kënaq vetëm gjysmën e kërkesës në qytet. Për këtë arsye, deri në fund të mandatit tim të parë synoj ta përgjysmoj këtë defiçit, këtë hendek midis kërkesës dhe ofertës nga çerdhet publike si dhe të inkurajojmë sa më shumë partneritetin edhe me sektorin privat. Plani Urbanistik parashikon 130 çerdhe të reja në 10 vitet e ardhshme, që do të thotë të paktën 40 çerdhe të reja në 4 vitet e ardhshme dhe për këtë arsye unë i kam kërkuar Zyrës së Projektimit në Bashkinë e Tiranës, që për çdo shkollë të re të ketë të paktën një çerdhe të re si dhe të identifikohen hapësira të tjera veçmas shkollave, për të ndërtuar çerdhe të tjera” – theksoi kryebashkiaku Basha.