TIRANË, 20 Nëntor/ATSH/.- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e konsideroi një hap të madh, miratimin e projektligjit historik për dekriminalizimin nga komisioni i posaçëm parlamentar.
"Nisma jonë tashmë me konsensusin e të gjitha palëve do t'i japë fund njërës prej njollave dhe plagëve më të mëdha të Shqipërisë në 25 vite. Kjo është një ngjarje e rëndësishme për demokracinë shqiptare, që do të vuloset me miratimin e projektligjit në Kuvendin e Shqipërisë dhe me fillimin e zbatimit të tij pa humbur asnjë ditë", shprehet Basha.
Ai falënderoi qytetarët shqiptarë që pavarësisht bindjeve politike, mbështetën dhe nxitën fuqishëm kauzën jetike të dekriminalizmit. "Falenderime të thella për miqtë dhe partnerët tanë, SHBA dhe BE, ndihma e të cilëve ka qenë dhe mbetet vendimtare për ta bërë dekriminalizmin ligj dhe realitet të jetës tonë politike dhe insitucionale. Kam besim se ky është fillimi i një ere të re, pa krim të veshur me pushtet, pa pushtet të veshur me krim. Për këtë qëllim e nisëm dhe do ta vazhdojmë deri në fund këtë betejë", përfundon Basha./m.m/