Basha Nje fjalim qe sdo doja ta mbaja kurre

Basha: Nje fjalim qe s'do doja ta mbaja kurre

Fjala e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha: Ky është një fjalim që nuk do doja ta mbaja kurrë. Po ne nuk kemi fuqi mbi ligjet e jetës, dhe jemi sot të detyruar prej tyre t’i japim lamtumirën mikun tonë të shtrenjtë, Sokol Olldashit.


Sado të mundohemi me gjithë forcën tonë të mos e besojmë atë çfarë ndodhi mbrëmë rreth orës 9 e 30 në Kërrabë, duhet më në fund të pranojmë se ai ishte udhëtimi i fundit i Kolit në timon, dhe se sot ne jemi të dënuar të ndahemi fizikisht me të.


Jemi dënuar ne që ndamë rrugën e gjatë të politikës me të, po më shumë se sa ne; Glauku, Kleiti, Kela dhe Kozeta, familja e tij e shtrenjtë dhe e mrekullueshme.


Do ti mungojë Glaukut dhe Kleitit babai frymëzues, Kelës bashkëshorti i gjindshëm, dhe mamasë së vuajtur Kozetës, do ti mungojë dashuria e madhe e jetës.


Po të mos ndodhte mbrëmë ajo pabesi e jetës në një kthesë në rrugën për të cilën ti Sokol u mundove aq shumë ta bësh më të mirë për qytetarët e këtij vendi, me siguri se do të ishe sot këtu me ne, duke pirë cigaren tënde, duke bërë batuta kur e donte rasti, dhe serioz e i përkushtuar në misionin politik.


Nuk mund të flas sot në kohën e shkuar, dhe nuk do ta bëj.


Kjo është vërtet një ndarje, për shkak të një ironie që jeta kësaj radhe bëri me ty, po jam i sigurt se do të jesh çdo ditë mes nesh, se është e pamundur të shuhesh aq shumë sa ke dhënë dhe aq shumë sa ke qënë prezent në ditët e secilit prej nesh, në politikë, në kohë të mira e të vështira, në gëzime e hidhërime.


Do të jesh me ne në politikë sepse na duhet kurajoja jote, na duhet forca për të ecur përpara. Na duhet vërtetësia dhe origjinaliteti yt.


Do të jesh me ne në mbledhje në kafene e kudo, se këndvështrimi yt është i veçantë.


Furtunat e motit si ato mbrëmë janë një shaka për ty, në krahasim me turbulencat e jetës dhe të politikës të cilat ti i përballove me dinjitet të pashoq, qysh se fillove angazhimin tënd publik.


Ti je një model për t’u ndjekur nga ne dhe të tjerët që do të na pasojnë, ndaj je dhe do të jesh mes nesh.


Po jam i sigurt se do te jesh një këshilltar i pazëvendësueshëm për dy djemtë e tu të cilët i ke rritur dhe i ke mbrujtur me parimet më të mira.
Do të jesh një bashkëshort i shtrenjtë për gruan tënde. Dhe do të jesh sot e deri në fund, djali i vetëm në botë për mamanë tënde të dhembshur.
Nuk ka se si të jetë kjo një ndarje e përhershme.


Zoti vendosi që ti të shkosh në një banesë tjetër, por ti Kol mbetesh mes nesh me gjithçka ke bërë.


Zakoni e do të themi lamtumirë;
Lamtumirë miku ynë!
Shpirti yt u prehtë në paqe.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama