TIRANË, 31 Tetor /ATSH- I. Vata/ -Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzoi kryeministrin Rama se po demonstron me regji qëndrore një show mediatik kundër informalitetit, për të fshehur vjedhjet dhe represionin ndaj biznesit.
Kryetari i Partisë Demokratike, Basha, në një konferencë për mediat të shtunën, u shpreh se "Kryeministri Edi Rama bëri sot një shfaqje për informalitetin. Pasi rrahu gjoksin për bëmat e fundit, ju tha shqiptarëve se represioni ndaj biznesit do të vazhdojë. Sot gjeti ditën për të folur për aksionin kundër informalitetit, por cili është ky sukses? Ministri i tij i Financave e ka publikuar ne faqen e tij të ministrisë se Shqiperisë i mungojnë 231 milione dollarë nga doganat dhe tatimet. Ndërsa vetem ne shtator mungojnë në doganat dhe tatimet 35 milione dollare, ose 1 milion dollare në ditë janë vjedhur".
"Ku kanë shkuar këto para dhe ka gjashtë muaj që ne pyesim!? Nuk ka përgjigje, por jo vetëm, por ka një gropë që u thellua vetëm në muajn tetor e që do të bëhen publike shumë shpejt", tha Basha.
Po ashtu, Basha akuzoi qeverinë se po puneson në tatime njerëzit e saj. Ai theksoi se "Është publikuar sot nga një media nje numer i madh te punesuarish nga drejtuesit e mazhorances. Ne krye qëndron Taulant Balla me 80 të punësuar, më pas vjen LSI me 62 inspektore, pastaj Kokedhima me 8 inspektore, Vangjush Dako me 13 inspektore në tatime, nderkohe qe 172 tatimore jane punesuar nga qeveritarët e tjerë".
I pyetur për ambicien e kryeministrit Rama për ulje taksash dhe nëse do të bashkëpunoni per kete, Basha u përgjigj: "Ne jemi për luftë të vertetë kundër informalitetit, por qeveria kërkon të fshehe vjedhjet jo të luftojë informalitetin". Ndërsa, përsa i përket pyetjes për zgjedhje të parakoshme, Basha u shpreh se "kjo qeveri ka rënë". /a.ke/