Gjatë mbledhjes së grupit të Partisë Demokratike, kreu i të djathtëve, Lulzim Basha, ka hedhur akuza ndaj qeverisë së re në lidhje me projektbuxhetin. Ai ka thënë se ky projektbuxhet vetëm po rënon dhe varfëron popullin shqiptar. Basha shtoi se, të gjithë pensionistët, invalidët, pronari i një biznesi ndihen të humbur në paketën fiskale hileqare dhe të padrejtë të qeverisë. Sipas tij, kreu i qeverisë po godet suksesin e bizneseve dhe familjeve qe kanë një gjendje ekonomike të mirë.
“Alternativa jonë është krejt tjetër në krahasim me alternativën e së majtës. Ky projektbuxhet nuk është i kërkujt, të gjithë i godet pa përjashtim. Kishte një gjë të përbashkët në takimin me grupet e interesit në këtë projektbuxhet. Të gjithë pensionistët, invalidët, pronari i një biznesi ndihen të humbur në paketën fiskale hileqare dhe të padrejtë të qeverisë. Nuk ka ngjitur dhe s`ka si të ngjisë propaganda e zhurmshme e qeverisë për gjoja favorizim dhe lehtësim të 99 për qind të shqiptarëve. Njerëzit dinë t`i bëjnë llogaritë shumë mirë në shtëpitë e tyre. Rritja e madhe dhe pa asnjë logjikë në kushtet e ekonomisë e taksës së karburantit dhe e mallrave të tjera të konsumit, zeron dhe çon minus dhe atë përfitim të vogël që një kategori punonjësish përfitojnë nga taksimi i ashtuquajtur progresiv i pagës. Asnjë i fituar 100 për qind të humbur. Ky ishte përfundimi i parë i pakontestueshëm I tryezave tona”, tha Basha.
“Një përfundim tjetër i rëndësishëm është se ky është projektbuxheti i parë në historinë e demokracisë në vend që ka në shënjestër suksesin, i vërsulet suksesit, godet suksesin. Suksesin e vogël të atyre që kanë mundur të sigurojnë një makinë, suksesin e mesëm të atyre që kanë mundur të sigurojnë një shtëpi të dytë, suksesin e qindra mijërave të tjerëve që kanë arritur të ngrejë në këmbë një biznes dhe sidomos suksesin e më të suksesshmëve që kanë dëshmuar përgatitje, talent dhe përkushtim më të madh se të tjerët në sistemin e konkurrencës së lirë”, theksoi lideri i të djathtëve.