TIRANË, 11 Tetor /ATSH- I. Vata/ -Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i kërkon qeverisë për mobilizim me gjithçka ka në dispozicion dhe të veproje shpejt për të shmangur viktima të tjera në jug të vendit.
Kryetari i Partisë Demokratike, Basha, nëpërmjet postimit të tij në rrjetin social Facebook shprehet se "situatë e rëndë për qindra familje në Fier e Vlorë, por dhe në qytete e fshatra të tjera të jugut, ku shirat e dendur kanë krijuar përmbytje e pasoja dramatike. Për fat të keq, ujërat e rrëmbyer kanë shkaktuar edhe vdekjen e kryefamiljarit Luan Qarri. Dua t'i shpreh ngushëllimet më të ndjera të afërmve të tij".
"I kërkoj qeverisë të mobilizohet me gjithçka që ka në dispozicion për të shmangur viktima të tjera në njerëz. Jeta e qytetarëve është prioritet absolut.Të veprohet me shpejtesi dhe të zbresin në terren me të gjitha forcat dhe mjetet, aty ku bashkëqytetarët tanë janë mbuluar nga uji dhe balta, ku rrugët janë bllokuar e ku koha nuk pret asnjë minutë për të shmangur fatkeqësi të tjera", shprehet Basha. /k.s//a.ke/