TIRANË, 14 Tetor /ATSH/-Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagoi për vizitën e kryeministrit Edi Rama në Çeki, duke thënë se ndërkohë që kreu i qeverisë "flet për futboll atje, nuk ka dhënë asnjë shpjegim për 600 milionë euro që ndau me kompaninë CEZ dhe ndalimin me ligj të hetimit të kësaj afere".
"Partia Demokratike mbështet fuqishëm zhvillimin dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe Shqipëri-Çeki. Por, ndërsa Edi Rama viziton Çekinë e flet për futboll edhe atje, nuk ka dhënë asnjë shpjegim për 600 milionë euro që ndau me kompaninë CEZ dhe ndalimin me ligj të hetimit të kësaj afere", thuhet në deklaratën e Bashës.
"Alibia e tij, sikur Çekia kishte kërcënuar me veto për marrjen e statusit të vendit kandidat, u rrëzua të paktën tre herë. Në skandalin më të madh të korrupsionit në vendin tonë është përfshirë ai vetë duke u marrë shqiptarëve 600 milionë euro, e duke i ndarë me kompaninë çeke. Historitë "çeke" të Edi Ramës u kanë kushtuar shumë shtrenjtë shqiptarëve. Por transparenca do të bëhet, hetimi do të bëhet, drejtësia do të vihet ne vend", shton më tej Basha. /i.v/ /a.g/