TIRANË, 18 Nëntor/ATSH-Anila Struga/.- Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, deklaroi sot se Edi Rama nuk mund të mbulojë me propagandë vjedhjen në dogana, në tendera e tatime, kriminalizimin e qeverisjes, krizën ekonomike dhe rritjen e papunësisë.
Në mbledhjen e përjavshme të grupit parlamentar demokrat, kreu i PD-së përsëriti akuzat e tij për vjedhje në dogana, duke i cilësuar 'koka turku' shkarkimin dje nga kryeministri të tre zyrtarëve të Drejtorisë së Doganave.
"Edi Rama doli dje dhe me një propagandë bajate gjeti tre "koka turku", ndërsa ne kemi tre muaj që e denoncojmë pareshtur sistemin e vjedhjes që Rilindja ka ngritur në dogana. Në arkën e shtetit sot mungojnë 326 milionë dollarë nga tatimet e doganat, ndërsa vetëm nga kontrabanda e cigareve humbja është mbi 50 milionë dollarë. Përsëris thirrjen për hetimin me urgjencë të kësaj skeme kriminale. Gropa e madhe e deficitit në dogana e tatime është prova e gjallë e kusarisë në këtë sektor", deklaroi Basha.
Duke bërë përgjegjës kryeministrin për këtë situatë, kryetari i PD-së tha se situata në këtë sektor shëndoshet vetëm me largimin e Edi Ramës nga posti i kreut të qeverisë./m.m/