Basha Reforma ne drejtesi alibi per mos hapjen e negociatave me BE-ne

TIRANË, 11 Nëntor/ATSH-Anila Struga/.- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë mbledhjes së përjavshme të grupit parlamentar, duke e konsideruar 'lajm të keq' mos hapjen e negociatave me Bashkimin Europian', theksoi se Rama po tenton të mbyllë përgjegjësinë për këtë me alibinë e reformës në drejtësi.

"Hapja e negociatave, tha Basha, do të ishte puna e parë e qeverisë Rama-Meta në ngrehinën e integrimit europian të vendit, detyrë që nuk do ta përmbushin dot as këtë vit, duke u bërë i vetmi vend në rajon që kemi marrë statusin dhe nuk po çelim negociatat për anëtarësim", tha kreu i PD-së.

Për këtë, Basha fajësoi kryeministrin, i cili tha ai, është autori i inkriminimit të institucioneve dhe shkatërrimit të zgjedhjeve, dy prova këto të patolerueshme nga Bashkimi Europian.

"Progres-raporti e thotë e zeza mbi të bardhë që korrupsioni është i përhapur gjerësisht, ndërsa krimi i organizuar vazhdon të mbetet shqetësim madhor. Nuk hapen dyert e Europës për Shqipërinë me zgjedhjet farsë që kanë vrarë ëndrrën europiane të shqiptarëve", tha Basha.

Sipas kreut të opozitës, Edi Rama, për të mbyllur përgjegjësitë e rënda në shkatërrimin e zgjedhjeve dhe korrupsionin, po përpiqet të kapet si i mbyturi pas fijes së barit me alibinë e reformës në drejtësi. "Kjo reformë është e domosdoshme dhe urgjente dhe ne kemi investuar kapacitetet tona për hartimin dhe miratimin e një reforme me standarde demokratike. Por, spektri i ankesave për Shqipërinë është më i gjerë dhe më i thellë", tha ai.

Pasi përsëriti akuzat për qeverisjen e korruptuar, tenderat klintelistë, etj, Basha shprehu mbështetjen e Partisë Demokratike për protestën e sotme të studentëve, kundër ligjit të 'arsimit të lartë'. "Ne e mbështesim pa asnjë kufizim protestën e studentëve dhe ftojmë qytetarët t'i bashkohen asaj. Jemi në krah të tyre dhe kërkojmë anulimin e këtij ligji", tha kreu i PD-së./m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama