TIRANË, 23 Korrik/ATSH/.- Kryetari i PD-së, Lulzim Basha në fjalën e mbajtur të enjten para grupit parlamentar demokrat u ndal tek situata e pasigurt e rendit në vend, duke fajësuar për këtë qeverinë.
Vendi, tha Basha, ka rënë në duart e qeverisë më të papërgjegjshme e më të korruptuar në histori. Kjo qeveri është një turp për gjendjen ku jeton shumica e qytetarëve, deklaroi Basha.
Nisma për dekriminalizimin e politikës, u shpreh ai, është zvarritur nga mazhoranca për shkak të lidhjeve të saj me krimin. "Pa dekriminalizimin e politikës nuk mund të ketë të ardhme evropiane. Por, dyshja Rama-Meta kandidoi në zgjedhjet lokale elementë të inkriminuar", tha kryetari i opozitës.
Ai u ndal sërish tek ligji i ri 'për arsimin e lartë', që sipas tij kërcënon të ardhmen e arsimit. Basha ngarkoi me përgjegjësi kryeministrin Rama 'që në hartimin e kësaj reforme anashkaloi të gjitha grupet e interesit, pedagogë e studentë'.
Në fund të fjalës së tij Basha premtoi se me nisjen e sesionit të ri parlamentar në muajin shtator opozita do të vijojë 'betejën për të ndalur të keqen' dhe po ashtu 'do të zhvillojë shpalosjen e alternativës së taksave të ulëta, si kusht për thithjen e investimeve të huaja'. /a.s/f.n/