Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti sot në zyrën e tij miliarderin George Soros. Gjatë takimit ata diskutuan mbi situatën aktuale dhe sfidat e Shqipërisë. Kreu i Partisë Demokratike tha se Shqipëria ka bërë një përparim domethënës në këto 23 vite, por standardet e arritura po kërcënohen nga kursi antidemokratik i dyshes Rama-Meta, e cila është në kërkim të pushtetit absolut.
Burimet zyrtare të PD-së, thonë se Basha e njohu Sorosin me ngushtimin e hapësirave institucionale për opozitën, me goditjen fizike dhe kërcënimin e përfaqësuesve të saj në sallën e Kuvendit nga një kontingjent i lidhur me krimin që Edi Rama i ka futur enkas në parlament për këtë qëllim.
“Standardeve të demokracisë liberale në vend po i kanoset një rrezik i madh nga presioni i përditshëm i qeverisë ndaj medias, shoqërisë civile, dhe institucioneve të pavarura. Mazhoranca po e zëvendëson reformën në këtë sistem, me kapje të drejtësisë duke bërë shkarkime të paligjshme, duke emëruar militantë, dhe duke i bërë presion të hapur gjyqtarëve”,-janë disa nga ankesat që Basha i ka paraqitur miliarderit dhe filantropit amerikan, George Soros .