Në mbledhjen e grupit parlamentar, sot, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, theksoi se qeverisë së majtë i mbetet vetëm marrja e statusit, pasi qeveria e kaluar i ka plotësuar të gjitha kriteret dhe ka lobuar pa ndërprerje për marrjen e statusit.
Basha u shpreh gjithashtu se qeveria Rama-Meta ka gjetur gjithçka gati dhe ajo çfarë duhet të bëjnë është pikërisht të hapin negociatat për anëtarësim me BE-në:
“Kemi vazhduar pa ndërprerje lobimin për marrjen e statusit kandidat, në bindjen tonë se shqiptarët e meritojnë statusin, për çfarë ka bërë dhe arritur ndër vite dhe që nuk qëndron aspak më poshtë nga vendet që e kanë marrë statusin. Kemi bindjen se agjenda e brendshme demokratike është vendimtare për hapjen e negociatave. Apelojmë për përshpejtim në këtë drejtim. Qeverisë së majtë nuk i mbeti vetëm ta merrte statusin, tani është detyrë e dyshes Rama- Meta të përmbushë kriteret për hapjen e negociatave, ky është testi i saj”, deklaroi Basha.
Ai tha se roli i opozitës ka qenë i duhuri dhe ka treguar se Shqipëria e meriton statusin:
“Me opozitarizmin tonë të fortë e të palëkundur, me betejat tona të njohura politike dhe ligjore, ne kemi dhënë një provë tjetër vendimtare pse Shqipëria e meriton statusin, sepse ka një opozitë që nuk fle dhe nuk u bën fresk shkeljeve”, vijoi më tej Basha.