Lideri i opozitës, Lulzim Basha paralajmëroi mbrëmë në emisionin “Top Story” të gazetarit, Sokol Balla në TCH përjashtimin nga Partia Demokratike të cilitdo deputet që thyen bojkotin e Kuvendit. I pyetur për rastin e deputetes Mesila Doda, e cila ka sinjalizuar hyrjen në Kuvend, Basha bëri të qartë se “çdo deputet i PD duhet të respektojë vendimin politik të PD-së për bojkot të Kuvendit. Kushdo që e thyen këtë vendim përjashtohet nga partia”.
Sa i përket rastit të ish-kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila ka marrë pjesë në disa përfaqësi të përbashkëta parlamentare me mazhorancën jashtë vendit, Basha sqaroi se vendimi për bojkot nuk ka të bëjë me aktivitetet ndërkombëtare. “Në asnjë rast, kur kemi pasur aktivitete ndërkombëtare nuk kemi thënë ‘jo’. Ne kemi bërë denoncimet tona në takimet periodike me delegacionet ndërkombëtare për këtë qeverisje që dhunon sistematikisht ligjin dhe Kushtetutën. Për këtë arsye ka qenë dhe zonja Topalli, por jo për të qenë dekor i shumicës”, – sqaroi ai. Lidhur me pyetjen sesa do të vazhdojë bojkoti i opozitës ndaj Kuvendit, Basha u përgjigj: “Sistemi është në krizë. PD do që të hyjë në Kuvend, por kushtet janë të pafavorshme për shkak të dhunës së mazhorancës mbi opozitën. Duhet të pastrohet parlamenti nga krimi”. Kreu demokrat la të kuptohet për vijimësinë e bojkotit dhe bëri të qartë se mandatet e deputetëve demokratë nuk mund t’i heqë mazhoranca, por Kushtetuta në bazë të afateve të përcaktuara.
“Këto janë vendime politike. Vendimi shqyrtohet. Tashmë PD ka të gjithë ansamblin e saj. Ne e kemi bërë të qartë vendimin tonë dhe mazhoranca bën sikur nuk dëgjon. Ata që bëjnë matematikë me çështje që është më e mprehtë, e kanë gabim. Ato mandate nuk mund t’i heqë askush tjetër përveç Kushtetutës. Afatet janë të përcaktuara. Afatet nuk i vendosim ne dhe aq më pak ata që ata shkelin rregulloren e Kuvendit. Vendimi politik është ky që është sot. Çdo vendim do të diskutohet në forumet drejtuese të partisë”, – deklaroi Basha. Kreu i PD-së foli edhe për zgjedhjet e reja në PD. Në forumet e reja drejtuese të PD-së dominojnë fytyra të reja të epokës “Basha”, por kryetari demokrat ka bindjen e plotë se nuk ka pasur asnjë spastrim në PD përmes procesit zgjedhor. “Nuk ka pasur asnjë spastrim në PD. Nuk ka asnjë pse, pa përgjigje.
Si Topalli, ashtu dhe Patozi janë pjesë e rëndësishme e grupit parlamentar të PD. Topalli ka qenë 16 vjet nënkryetare e PD-së, ndërsa Patozi më pak 6 vjet. Nuk ka gjueti shtrigash në parti. PD-ja ka vendosur votën e lirë të anëtarëve në themel të vendimmarrjes. Nuk ka dhe nuk mund të ketë gjueti shtrigash. Zgjedhja ka qenë për ta sjellë vendimmarrjen sa më afër anëtarëve të partisë”, – u shpreh Basha. Kreu i PD-së paralajmëroi protesta të tjera, për shkak të keqqeverisjes së mazhorancës së majtë. “Protestat do të vazhdojnë dhe do të jenë më të fuqishme. Protestat paqësore gjithnjë e më të fuqishme mos prisni që të ndërpriten, sepse shqiptarëve u ka vajtur laku në fyt”, u shpreh Basha.