TIRANE, 22 Tetor/ATSH/- Kryetari i PD-së, Lulzim Basha mori sot pjesë në Samitin e Partive Popullore Europiane ku u diskutua edhe situata në Ballkan.
Kryetari i Partisë Demokratike solli në vëmendje numrin e lartë të azilkërkuesve nga vendi ynë që u janë drejtuar vendeve të Bashkimit Europian në vitet e fundit. Kjo situatë, tha Basha e bën dhe më të domosdoshëm fokusimin e vëmendjes së Bashkimit Europian në Shqipëri, ku si rezultat i bashkëqeverisjes me krimin, dhunohen standardet demokratike e shteti ligjor dhe qytetarët goditën padrejtësisht.
Gjatë pjesëmarrjes në Kongresin e PPE-ve, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u takua dhe bisedoi me presidentin e Këshillit Europian Donald Tusk, presidentin e Komisionit Europian Jan Claud Junker, me Komisioneri për Zgjerimin Johanes Hahn , kreun e Partive Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian, Manfred Weber kryeministrin e Spanjës Mariano Rajoy, me kryeministrin e Norvegjise Erna Solberg me kryeministrin e Bullgarisë Boiko Borisov, zv/kryetarin e Parlamentit Europian Antonio Tajani, europarlamentarë David Mc Allister ,presidentin e PPE Joseph Daul me sekretarin e Përgjithshëm Antonio Lopez-Isturiz, etj.
"Ndonëse me ndihmën e Parlamentit Europian një vit më parë u arrit marrëveshja për dekriminalizimin mazhoranca ka dëshmuar mungesë të theksuar vullneti për zbatimin e saj duke shkuar dhe më tej me kandidimin e personave me rekorde kriminale për kryetarë bashkish, ndërsa janë denoncuar me dhjetëra raste të tjera të emërimit në poste të rëndësishme të administratës të personave me rekorde kriminale", tha Basha.
Sipas tij, vota e lirë u cenua rëndë në zgjedhjet e pushtetit lokal ku siç vihet re dhe raporti I OSBE/ODIHR-it zgjedhjet nuk ishin as të lira, as të ndershme.
Basha u ka kërkuar bashkëbiseduesve të sjellin në Shqipëri përfaqësuesit e tyre për të parë nga afër situatën dhe si ditë për ditë mazhoranca sfidon themelet e demokracisë shtetin ligjor, liritë dhe të drejtat e njeriut.
Bashkëbiseduesit i kanë ofruar mbështetje Basha dhe Partisë Demokratike në sfidat e përballjes opozitare dhe të ofrimit të një alternative të re qeverisëse për Shqipërinë./a.gegvataj/