TIRANË, 21 Tetor/ATSH-Arbi Fortuzi/-.Siguria, zhvillimi ekonomik dhe shumë tema të tjera të aktualitetit do të jenë pjesë e axhendës dy ditore e Kongresit të Partive Popullore Europiane, që po zhvillohet në 21-22 tetor në Madrid, Spanjë dhe ku merr pjesë për herë të parë me të drejtë vote dhe Kryetari Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Siç mësohet nga njoftimit për shtyp i selisë blu, në këtë kongres ?do të trajtohen një gamë e gjerë e sfidave me të cilat përballet Europa sot, nga siguria tek rimëkëmbja ekonomike. Kongresi do të fokusohet në politikat e jashtme dhe ato të sigurisë të tilla si migrimi dhe lufta kundër terrorizmit, si dhe çështje të një rëndësie të madhe në axhendën europiane si rritjen, punësimin, një treg dixhital të përbashkët, ndryshimet klimatike dhe partneritetin midis Europës dhe SHBA.
Kongresi do të zgjedhë drejtuesit e rinj të PPE, Presidentin, zv/presidentët, Sekretarin e Përgjithshëm. Për herë të parë Partia Demokratike e Shqipërisë merr pjesë si anëtare me të drejta të plota e PPE-së dhe do të ushtrojë të drejtën e votës.
Në kongresin e PPE-së Madrid do të ketë rreth 3.000 pjesëmarrës, mes të cilëve 750 delegatë, krerë shtetesh dhe qeverish anëtare të BE-së, si kancelarja Angela Merkel (Gjermani), kryeministrat Mariano Rajoy (Spanjë), Bojko Borisov (Bullgari), Viktor Orban (Hungari), Pedro Passos Coelho (Portugali), Laimdota Straujuma (Letoni), etj. Po kështu marrin pjesë Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk.
PPE është grupimi më i madh dhe më me ndikim në nivelin europian. PPE ka 75 parti anëtare nga 40 vende. Nga radhët e saj janë zgjedhur kryetarët e Komisionit Europian dhe Këshillit Europian. PPE ka dhe grupin më të madh në Parlamentin Europian. /a.g/