Basha nis konsultat per planin urbanistik ja cfare ndryshon

Basha nis konsultat per planin urbanistik, ja cfare ndryshon
Bashkia e Tiranës nis konsultimet publike me shoqërinë civile dhe ekspertët për planin e ri urbanistik të kryeqytetit.Dje, në takimin e parë këshillimor ishin të pranishëm përfaqësues të njohur të botës universitare në fushën e inxhinierisë dhe arkitekturës, përfaqësues të shoqërisë civile dhe emra të njohur të artit e kulturës. Plani i ri urbanistik do të jetë gati në maj të vitit që vjen. “Ky plan synon të zgjidhë konfliktin artificial mes qytetit dhe qytetarëve, të zgjidhë problemin e rritjes demografike, problemin e trafikut dhe të grackave të tjera me të cilat ndeshen qytetarët e Tiranës çdo ditë. Plani do të balancojë interesat privatë me ata publikë, do të bëhet në bashkëpunim të gjerë dhe do të gjejë konsensus maksimal. Procesi do të jetë transparent dhe larg rrjetit të interesave klientelistë”, u shpreh në çelje të takimit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha. Ai shtoi se  në hartimin e tij do të përfshihen edhe dokumentet apo projektet e miratuara më parë për Tiranën, duke përfshirë këtu ndryshimet që do të shtrihen nga sheshi “Skënderbej” e deri tek akset e tjera rrugore, duke ndërhyrë në trafikun e rënduar e, nga ana tjetër, duke shtuar hapësirat e gjelbra.

Të pranishmit vlerësuan faktin se ishin thirrur për të dhënë mendimin dhe ekspertizën e tyre, duke u shprehur të gatshëm të kontribuojnë për planin e ri urbanistik. Ky grup konsultativ do të mblidhet në mënyrë periodike për të diskutuar dhe debatuar rreth planit urbanistik. Kryebashkiaku Basha e vuri theksin tek vëmendja ndaj zërit të qytetarëve. Sipas tij, instrumentet e pjesëmarrjes qytetare do të kthehen në instrumente pune dhe nuk do të mbesin thjesht në kuadër të një fushate elektorale. Për kryebashkiakun, partneriteti me kontributorët kryesorë të ekonomisë së qytetit do të reflektohet edhe në planin e ri urbanistik. “Synojmë të ndërtojmë një partneritet me sektorin e biznesit dhe të shembim modelin e “pengmarrjes” së biznesit. Ne e konsiderojmë sektorin e biznesit si motorin kryesor ekonomik, por do të mbrojmë njëkohësisht interesin publik, duke krijuar klimën e nevojshme për të rritur cilësinë e jetës dhe punës në kryeqytet”,tha Basha.

Tri dimensionet e planit

Nga sa u diskutua dje, mungesa 10-vjeçare e një plani urban ka hequr dhe mundësinë e vetme për të udhëhequr sadopak zhvillimin territorial. Kryebashkaiku Basha nënvizoi se  synimi i grupit të ngritur të punës është që ky plan i munguar prej 10 vitesh të realizohet në jo më shumë se 10 muaj. Ai shpjegoi se strukturë bazë e këtij plani do të jenë tri dimensione. Duke iu referuar dimensionit strategjik, Basha tha se në këtë kuadër do të parashtrohen për diskutim opsionet strategjike të zhvillimit të qytetit. Këto opsione do të diskutohen gjerësisht me opinionin publik të kryeqytetit. Investimet strategjike, zhvillimi ekonomik dhe diversiteti i modelit ekonomik te Tiranës, buxhetimi publik, do të jenë tema reale për të debatuar me opinionin publik, në mënyrë që zgjedhjet e bëra të gjenerojnë një konsensus të shoqërisë së kryeqytetit.
 
“Më tej është dimensioni fizik rregullator. Plani rregullues do të jetë guri i themelit për zhvillimin urbanistik të kryeqytetit. Vlerësimi i drejtë i pronave, zhvillimi i moderuar urban, sigurimi i hapësirave të nevojshme publike dhe ndërtimi i lagjeve me një cilësi të konsiderueshme jetese, do të mishërohen në opsionet e hedhura në tryezë nga Plani Rregullues. Ky plan do të jetë një instrument i drejtë për investitorët dhe ndërtuesit për të zhvilluar qytetin dhe jo më një instrument spekulimi me këtë industri”, shpjegoi Basha. Zhvillimi i infrastrukturës përbën dimensionin e tretë. Sipas kryebashkiakut, zhvillimi urban i Tiranës nuk do të kishte kuptim pa investimet e duhura në infrastrukturë dhe pa planifikimin e duhur infrastrukturor. Ka ardhur koha që Tirana të jetë ambicioze edhe në investimet infrastrukturore. Infrastruktura si unaza e madhe apo tramvaji do të mishërojnë edhe në planin e infrastrukturave risitë dhe ambiciet bashkëkohore të qytetit tonë.

Parimet  e hartimit të planit

1-Zhvillimi i qëndrueshëm i qytetit, që do t’i hapë rrugën zhvillimit ekonomik dhe mjedisor të Tiranës, duke nxitur dhe hapjen e vendeve të reja të punës në qytet.

2-Harmonizimi i interesave publikë dhe interesave privatë që do të rezultojë në mbrojtjen e hapësirave publike dhe atyre të gjelbra.

3-Harmonizimi me komunat dhe bashkitë përreth Tiranës dhe arritja e një konsensusi sa më të gjerë me banorët e Tiranës.

4-Plani i ri urbanistik do të synojë përmirësimin e transportit publik, lehtësimin e trafikut, përmirësimin e sistemit të mbledhjeve dhe trajtimit të mbeturinave urbane dhe bërjen e Tiranës një qytet më të jetueshëm dhe më atraktiv për banorët e tij.

5-Gjithashtu, plani do të synojë zbatimin e një formule të menaxhimit të pronës private, në mënyrë që të evitojë spekulimet dhe të sigurojë një shpërndarje sa më të drejtë të përfitimeve të zhvillimit.

Tri dimensionet

Dimensioni strategjik, i cili do të parashtrojë për diskutim opsionet strategjike të zhvillimit të qytetit.
Dimensioni fizik rregullator do synojë zhvillimin urbanistik
Dimensioni infrastrukturor i Tiranës synon investimet në infrastrukturë

Domosdoshmëria

Plani i ri urban i Tiranës është një domosdoshmëri për zhvillimin territorial të qytetit dhe më gjerë. Tirana ka përjetuar një rritje dramatike, rritje kjo e reflektuar në demografinë e saj, por dhe në zhvillimin kaotik, sidomos në 10 vitet e fundit me efekte negative në mjedis, infrastrukturë, trafik, pse jo dhe në një frenim të rritjes ekonomike të qytetit.

Flamur Kuci: Ja grupet e konsulencës

“Bashkia e Tiranës do të ketë si konsulencë të përhershme, në vijim të asaj iniciative që kishte gjatë fushatës elektorale të konsultimit, jo vetëm grupet e interesit, por një grup personalitetesh që në një farë mënyre janë përfaqësues të mendimit qytetar të kryeqytetit”, tha Kuci. Sipas tij, do të ketë grup konsulence të përhershëm për hartimin e planit strategjik, planit rregullues dhe planit infrastrukturor të kryeqytetit të Tiranës. Është quajtur grupi strategjik jo pa qëllim, për shkak se këtu duhet një miks, i përbërë nga përfaqësues të disa universiteteve shqiptare, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët me kontributin e tyre përgjatë fushatës dhe debateve publike kanë udhëhequr dhe kanë ndihmuar në formimin e opinionit qytetar dhe në formimin e disa opsioneve për zhvillimin e qytetit të Tiranës.

Jorgaq Kaçani: në dispozicion specialistët
“Pa dyshim që ky është një vizion i ri, një vizion me të gjithë mendimin intelektual e profesional të institucioneve që përgatisin dhe shkollojnë të gjithë kuadrot e nevojshëm, ku futen të gjitha institucionet akademike, të cilat gjer dje, pavarësisht angazhimit që ne kemi pasur dhe predispozicionit, nuk kemi gjetur hapësirat për të dhënë këtë kontribut dhe për të shprehur të gjithë angazhimin që ne kemi për Tiranën”, kështu u shpreh rektori i Universitetit Politeknik, Jorgaq Kaçani. Ai shtoi se UP-ja vë në dispozicion potencialin e madh të studentëve dhe specialistët më të mirë “Ne kemi stafin akademik, i cili do të bëjë kualifikimet e veta për master, për doktoraturë etj. dhe të gjithë produktin e vet të ketë pikërisht produktin e Bashkisë së Tiranës. Kjo do të jetë një përgjegjësi e gjithsecilit, për të realizuar më të bukurën”, tha Kaçani.

Bsnik Aliaj:Të zgjerohen kufijtë e Tiranës

Ish-këshilltari i Kryeministrit në fushën e urbanistikës, Besnik Aliaj, i kërkoi zotit Basha që të vlerësojë në një masë konsultat, por rolin kryesor sipas tij duhet ta luajnë teknicienët. Aliaj kërkoi që të vlerësohet dhe ajo që është bërë më parë. “Plani duhet të ofrojë një alternativë të qartë ndaj disa problemeve të mprehta që kanë qytetarët dhe biznesi. Nëse një qytetar kërkon të vijë në Tiranë dhe të ketë një banesë, ai nuk duhet të jetë në dorën e spontanitetit”, tha Aliaj. Ai tha se duhet të synohet vajtja drejt një skeme, e cila do ta shtrijë Tiranën përtej asaj skemës apo njollës tradicionale, qoftë Stacioni i Trenit, Zogu i Zi, Kinostudio, Nënë Tereza, nuk janë më kufijtë e fundit të kryeqytetit, madje janë pjesë e pjesës qendrore të qytetit”, tha Aliaj.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama