TIRANË, 16 Nëntor/ATSH/.- Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë një takimi me banorë dhe fermerë të Selenicës (Vlorë), premtoi një buxhet prej 100 milionë dollarësh për bujqësinë, më i madhi i planifikuar deri më sot.
"Ne parashikojmë buxhetin më të madh për bujqësinë që ka patur ndonjëherë ky vend. Sot e ka 5 milionë dhe ne do ta çojmë në 100 milionë dollarë, 40 milionë nga të cilat i kemi llogaritur që do të përdoren për të zeruar taksat për fshatin. Kjo do të thotë që fidanët, farat, plehrat, naftën do t'i paguani pa taksë, pa akcizë", u shpreh kreu i PD-së.
Basha premtoi që të gjithë fermerët të kenë mundësi të shesin produktet e tyre në tregjet bujqësore kudo në Shqipëri, pa i rënë në qafë askush dhe pa NIPT.
/a.s//m.m/