Basha reagon pas deklarates se ambasadorit Arvizu Vijat e kuqe jane imagjinare

Basha reagon pas deklarates se ambasadorit Arvizu: Vijat e kuqe jane imagjinare

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka reaguar mbrëmë pas deklaratës së ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu për një bisedë mes tyre lidhur me shkatërrimin e armëve kimike në Shqipëri. Në një ndërhyrje në emisionin “Opinion” në TV Klan ai tha se “Opozita nuk është kontaktuar zyrtarisht nga asnjë autoritet vendës apo i huaj për çështjen e armëve kimike dhe në asnjë moment nuk është informuar për çfarëdo procesi negociatash, i cili mesa duket ka ndodhur dhe për të cilin s’kemi transparencë”.

 

Në të njëjtën kohë, ai ka folur edhe për përmbajtjen e bisedës të dielën në mbrëmje me ambasadorin amerikan, një ditë para protestës së PD-së. “Të dielën në 9 të darkës zoti Arvizu ka kërkuar një kontakt telefonik me mua, një ditë para protestës, kontakt që e kam realizuar dhe gjatë të cilit më ka thënë se kjo është një çështje sensitive për SHBA-të. I kam thënë që opozita është e vendosur të kërkojë transparencën e plotë të kësaj çështjeje nga Kryeministri.

 

I kam thënë që subjekti i protestës është shitblerja e votës në Korçë. I kam thënë që ne refuzojmë çdo alibi sikur SHBA janë përgjegjës për mungesën e transparencës në vend dhe e konsiderojmë këtë përgjegjësi të Ramës”, tha Basha. “I kam thënë se kjo është një vijë e kuqe që opozita nuk do ta kalojë. Çdo vijë tjetër e kuqe është imagjinare, sepse opozita nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë informacion zyrtar për këtë çështje”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama