Halim Kosova do të jetë kryetar në Tiranë, Duma rimerr Departamentin e Marrëdhënieve me Publikun në PD
Halim Kosova – Ish-kandidati demokrat për kryebashkiak i kryeqytetit, pritet të rikthehet në PD si kryetar i degës së ristrukturuar të Tiranës.
Grida Duma – Pavarësisht pjesëmarrjes në zgjedhje, ish-kandidatja për Durrësin nuk dha dorëheqjen nga drejtimi i Departamentit për Marrëdhëniet me Publikun në PD
Lulzim Basha – Duke ia besuar drejtimin e PD-së në Tiranë, Halim Kosovës, kryedemokrati do të përqendrohet në hartimin e një projekti politik të PD-së për zgjedhjet e 2017-s
Bashkim Shehu – Për shkak të kandidimit dhe fitores së tij si kryebashkiak i Kukësit, Shehu nuk do të jetë më në krye të departamentit për rendin e sigurinë në PD
Asllan Dogjani – Deputeti më i ri i PD-së, që zëvendësoi kryebashkiakun e Tropojës, Besnik Dushajn, pritet të emërohet në krye të departamentit për rendin e sigurinë në PD. Dogjani u bë deputet i Kuvendit, pasi Kosova kandidoi për Bashkinë e Tiranës. Kjo bëri që vendi të zëvendësohej nga Dogjani.
KQZ-ja – Sipas rezultatit përfundimtar të KQZ-së, PD-ja arriti të mbledhë rreth 211 mijë vota më pak se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, ndërsa në nivel koalicioni, e djathta ka marrë mbi 450 mijë vota më pak
Herion Mesi
Edhe pse humbën betejat e tyre elektorale më 21 qershor, Halim Kosova dhe Grida Duma janë sërish pjesë e projektit të Lulzim Bashës në zgjedhjet e ardhshme elektorale të 2017-s. Analiza e rezultatit zgjedhor që pritet të zhvillohet muajin e ardhshëm, parashikon dhe rifreskimin e strukturave të PD-së jo vetëm në degë, por edhe në qendër. Kështu, projekti i ri i kryedemokratit parashikon edhe plotësimin e vakumit të krijuar në degën më të madhe të vendit, atë të Tiranës. Në procesin e parë të ristrukturimit të strukturave të reja, në kryeqytet u ngritën 13 degë të PD-së, po aq sa edhe numri i njësive bashkiake, ku posti i kryetarit të Tiranës u mbajt nga vetë kreu i PD-së, Lulzim Basha. Dhe pas rezultatit negativ që e djathta arriti dy muaj më parë në kryeqytet, pritet që rifreskimi i strukturave të parashikojë ngritjen e një dege të madhe të Tiranës, ku degët aktuale do të shndërrohen në nëndegë, dhe kryetar i PD-së në Tiranë pritet të jetë pikërisht ish-kandidati për kryebashkiak, Halim Kosova. Edhe pse mori mbi 40 mijë vota më pak se kundërshtari i tij socialist, Erion Veliaj, Kosova shihet si një vlerë e shtuar në PD, i cili mori një përkrahje të gjerë, edhe përtej së djathtës, nga kryeqytetasit në këto zgjedhje.
Është kjo arsyeja që e “ka detyruar” kryedemokratin të ndërmarrë një nismë të tillë, e cila do të mund të konkretizohet me rikthimin e demokratëve në detyrë, pas pushimeve verore. Në garën për kryeqytetin, defekti kryesor në fushatën e demokratëve ishte mënyra e organizimit të strukturave të degëve të Tiranës, të cilat sipas drejtuesve të PD-së, treguan se nuk ishin efikase. Ndërsa vetë Basha, që deri në këto zgjedhje bënte dhe detyrën e kreut të PD-së së Tiranës, duke ia besuar këtë post Halim Kosovës, do të jetë i angazhuar në drejtimin e të gjitha degëve në bazë, por edhe në hartimin e politikave dhe një programi politik që do të ndjekë PD-ja në kuadër të përgatitjes së fushatës zgjedhore që do të çelet pas dy vitesh. Një tjetër rikthim në selinë blu, është edhe ai i kandidates së PD-së për Bashkinë e Durrësit, Grida Duma, e cila do të vijojë të ushtrojë funksionin e saj në krye të departamentit për marrëdhëniet me publikun në këtë parti, post të cilin e mbante prej afro një viti. Edhe pse ajo garoi më 21 qershor përballë Vangjush Dakos, Duma nuk paraqiti asnjëherë dorëheqjen nga funksioni i saj në PD, çka nënkupton se në shtator ajo do të jetë sërish pjesë e politikës aktive të opozitës.
Ndërkaq, pritet që të plotësohet dhe vendi vakant i mbetur në departamentin për rendin e Sigurinë në PD, pas fitores që ish-drejtuesi Bashkim Shehu arriti në zgjedhjet për kryebashkiak të Kukësit. Dy janë emrat që kanë nisur të përfliten gjatë këtyre ditëve për këtë post, ai ish-ministrit të Brendshëm, Flamur Noka, dhe i deputetit më të ri në PD, Asllan Dogjani. Edhe pse asgjë nuk është vendosur, më favoriti për të marrë drejtimin e këtij departamenti shikohet ish-socialisti Dogjani, për shkak edhe të eksperiencës së tij në Policinë e Shtetit dhe në çështjet e sigurisë. Ajo që është e paqartë, ka të bëjë me të ardhmen politike të ish-kandidatit tjetër të PD-së, për kryebashkiak të Elbasanit, Ardian Turku, i cili do ta humbiste përballjen e tij me kryebashkiakun e majtë Qazim Sejdini. Por pavarësisht rezultatit në këtë garë, Turku, ashtu si dhe Kosova, konsiderohen nga kryedemokrati Basha si vlera në PD, dhe mundësia e rikthimit të tij në parti është më se e sigurt, por roli që ai do të ketë deri në zgjedhjet e 2017-s nuk është vendosur.
Rezultatet
Në zgjedhjet vendore të 21 qershorit, Partia Demokratike arriti të mbledhë rreth 211 mijë vota më pak se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, ndërsa koalicioni i drejtuar prej saj në zgjedhjet vendore ka marrë mbi 450 mijë vota më pak se ai i drejtuar nga demokratët në zgjedhjet parlamentare të 2013-s. Referuar projektvendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që do të miratohet sot, rezulton se demokratët në zgjedhjet e 21 qershorit kanë mbledhur 317620 vota ose 20.33%.
Dy vite më parë në zgjedhjet parlamentare të 2013, Partia Demokratike mori 528 373 vota ose 30.63%. Pra, referuar shifrave krahasuese për dy vjet, PD ka humbur rreth 10% të votave. Pikërisht si rezultat i këtyre shifrave, analiza e humbjes nuk do të kursejë edhe disa prej krerëve të degëve të PD-së në rrethe, të cilët zhgënjyen në këtë përballje. Bëhet fjalë për krerët e degëve të Durrësit, Elbasanit, Fierit, Vlorës, Korçës, etj., të cilët mund të ndryshojnë si pasojë e rifreskimit të strukturave të PD-së, dhe që do t’i hapin rrugë organizimit të demokratëve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.