Basha takim me tregtaret ne Durres Do te ulim taksat

6 (2)DURRES, 24 Tetor/ATSH/-Në vijim të turit "Fjalën e kanë qytetarët", kryetari i PD, Lulzim Basha u takua me tregtarët e Tregut Industrial në Durrës.

Basha ka paraqitur një pjesë të platformës qeverisëse siç është rritja e kufirit deri në 120 milionë lekë të vjetra për biznesin e vogël dhe tatim vetëm 0.5% të xhiros.

"Për çështjen e taksave të shtetit, ne kemi një propozim që po e përgatisim dhe po ua ofrojmë shqiptarëve. Biznesi i vogël do të paguajë jo më shumë se 0.5 % të xhiros. E ke xhiron 20 milionë lekë të vjetra, do të paguash 100 mijë lekë të vjetra në vit. E ke 120 milionë, se deri në 120 milionë do ta çojmë biznesin e vogël ne, 120 milionë lekë xhiro në vit, do të paguash 600 mijë lekë të vjetra në vit. Do të marrësh pullën dhe s'ka tatimor të të afrohet as ke biznesi, as tek dyqani", deklaroi kryetari i Partisë Demokratike.

Basha ka theksuar se këshilltarët e djathtë bashkiakë të Durrësit do të kërkojnë ulje taksës së pronës me 30% siç e parashikon ligji, ndërsa me ardhjen në pushtet të demokratëve, bëri të ditur se taksa e pronës do të shkojë në nivelin që ka qënë deri në vitin 2007.

"Duke filluar që nga dita e nesërme, këshilltarët demokratë në Bashkinë e Durrësit nuk do të lejojnë asnjë mbledhje normale pa miratuar uljen maksimale të taksës mbi pronën siç e lejon ligji. Kur ne të vijmë në pushtet, taksa nuk do ta jetë më e lartë se sa ka qënë deri në vitin 2007 anëmbanë Shqipërisë", theksoi Basha. /e.xh/ /a.g/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama