Bashkejetesa mes cifteve eshte prove per nje martese te suksesshme

Bashkëjetesa mes çifteve është provë për një martesë të suksesshme
 Bashkëjetesa e çifteve para martesës, gjatë viteve të fundit, është një trend i ri që rrallë ka ndodhur në të kaluarën. Derisa në periudhën e paraluftës rastet e të rinjve, të cilët kanë preferuar bashkëjetesën, kanë mundur të numërohen në “gishta”, tani pothuajse çdo i katërti apo i pesti çift para se të vendosë ”zyrtarisht” për të lidhur kurorë parapëlqen të bashkëjetojnë.

Një gjë të tillë të rinjtë tanë e praktikojnë për faktin se përmes kësaj forme ata e njohin më tepër njëri- tjetrin dhe e testojnë veten se sa janë të gatshëm të jetojnë së bashku dhe të krijojnë familje. Edhe pse shumica e prindërve shprehen se nuk e preferojnë shumë, për të mos thënë fare bashkëjetesën, sot të rinjtë mendojnë ndryshme.

Sipas të rinjve, bashkëjetesa është mundësia e mirë për ta njohur njëri-tjetrin dhe e konsiderojnë si një fazë parapërgatitëse për të krijuar familje. Shumica e rasteve të bashkëjetesave përfundojnë me martesë të suksesshme, por ka raste kur çiftet ndahen. Pra, për disa të rinj mënyra e tillë e njohjes mes partnerëve u hap rrugë dy personave që të vendosin më lehtë për të ardhmen e tyre. Për disa të tjerë, bashkëjetesa është një hap i gabuar, sipas të cilëve po keqkuptohet te një numër të rinjsh dhe mund të ndikojë në shtimin e divorceve.

Dallime mes prindërve dhe të rinjve

Në të vërtetë, shtresat më të vjetra të shoqërisë sonë, sidomos ata në zonat rurale, një dukuri të tillë e quajnë të dëmshme dhe si faktor të shkatërrimit të shoqërisë dhe të rinisë në përgjithësi. Por, studentët, që janë të shumtë që e zbatojnë një praktikë të tillë, thonë se është një përvojë e mirë për ta testuar veten se a mund të lidhësh kurorë me një femër / mashkull, apo jo.

Meqenëse ne jemi një shtet i cili po kalon në një periudhë jo pa pasoja, në atë të tranzicionit, si dhe mentaliteti patriarkal i shumë familjeve bën që bashkëjetesa për ta konsiderohet një mënyrë e gabueshme e të jetuarit. Për më tepër, një mënyrë e tillë e të jetuarit në mes të të rinjve para martesës, por edhe para fejesës keqkuptohet.

Të rinjtë tanë, me të cilët biseduam, kanë potencuar se bashkëjetesën e konsiderojnë si një hap të rëndësishëm, dhe mundësi më të mëdha për t’i njohur të mirat e të metat e dy të dashuruarve. Ka mjaft raste që në shoqërinë tonë, duke u bazuar në mentalitetin e ulët që kemi, bashkëjetesa keqkuptohet. “Mua më pëlqen bashkëjetesa, por nuk preferoj të qëndroj me dikë pa dijeninë e të dy familjeve.

Bashkëjetesa është një test për të dytë se sa janë të gatshëm të jetojnë dhe të krijojnë familje. Unë nuk besoj që prindërit e mi do të më pengonin të bashkëjetoj me një djalë“, është shprehur Vlora M. nga Prishtina. Kurse Shpresimi, student i vitit të katërt të Mjekësisë, ka potencuar se ai tani e dy vjet bashkëjeton me të dashurën e tij dhe ende nuk kanë vendosur për martesë. ”Unë me të dashurën time njihem tashmë katër vjet, kurse kemi filluar të bashkëjetojmë tani e dy vjet.

Për një gjë të tillë janë pajtuar edhe familjet tona dhe në të ardhmen e afërt presim ta zyrtarizojmë lidhjen tonë me fejesë”, është shprehur Shpresimi. Sipas tij, bashkëjetesa nuk mund të jetë keqkuptim apo diçka negative për dy të rinj, nëse në të vërtetë duhen.

Një formë moderne e të jetuarit

Sociologët dukurinë e bashkëjetesës e konsiderojnë krejt normale dhe formë moderne e të jetuarit. “Bashkëjetesa është një formë moderne e të jetuarit mes çifteve, kjo sidomos është shfaqur në kohët e sotme, kur familjet kanë kaluar nga faza tradicionale e të jetuarit në atë moderne.

Modernizimi ka bërë që të shfaqen disa gjëra që për disa njerëz mund të duken risi, por që në fakt kanë ekzistuar që moti, por nuk kanë qenë shumë të shfaqura”, ka theksuar sociologu, Ilir Gashi.
Sipas tij, në kohën moderne, kjo është shfaqur në shumë vende, duke përfshirë edhe Kosovën. “Bashkëjetesa nënkupton jetesën e përbashkët mes dy çifteve, që në fakt më parë janë pajtuar ta bëjnë këtë, pa ndonjë marrëveshje paraprake me familjarët e tyre, pa shpallur fejesën, apo martesën”, ka thënë ai.

Kështu që, siç u shpreh sociologu Gashi, edhe Kosova, si shumë vende të tjera, ka kaluar nga tradicionalizmi, në modernizëm dhe tani bashkëjetesa është bërë fenomen i zakonshëm. Tani mund të vërehen shumë çifte duke bashkëjetuar, dhe ky trend quhet proces normal. “Për proceset dhe tranzicionin nëpër të cilin ka kaluar shoqëria kosovare të mënyrës së të bashkëjetuarit, në disa raste shndërrohet në faza para martesës. Duhet cekur se disa mund edhe ta keqkuptojnë konceptin e bashkëjetesës, por në fakt të tillët mund ta kenë gabim, pasi një jetë e tillë e përbashkët mes djalit dhe vajzës është fazë normale, mund të ketë zanafillë të hershme, por që është shfaqur tani”, ka pohuar Gashi.

Dy vjet nën fejesë

Ndërkaq, Shpresa dhe Valtoni janë dy të rinj të tjerë të cilët, pasi kanë kaluar dy vjet, e kanë shpallur fejesën dhe bashkëjetojnë gati një vit. “ Unë, të dashurin tim e kam njohur qysh në vitin e parë të studimeve, andaj pas dy vjetëve jemi fejuar dhe tash një kohë bashkëjetojmë. Unë mendoj se bashkëjetesa është një hap i mirë që paraprakisht të përgatit për të ardhmen për martesë”. Ajo ka shtuar se që nga koha kur kanë filluar të bashkëjetojnë nuk kanë asnjë problem me të fejuarin e saj dhe kanë mirëkuptim me njëri- tjetrin. Po këtë mendim e ka edhe i fejuari i Shpresës, Valtoni, i cili ka theksuar se ai është paksa më tolerant se e fejuara e tij. “ Ne, gjatë gjithë kohës jemi bashkë, por ka raste kur dalim edhe me shoqëri. Bashkëjetesa, përveçqë është e mirë, ka edhe shumë obligime”, ka thënë ai.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama