Bashkepunim mes shkencetareve gjermane dhe atyre te Kosoves ne fushen e robotikes

Bashkëpunim mes shkencëtarëve gjermanë dhe atyre të Kosovës në fushën e robotikës


Shkolla e Lartë Teknike e Mynsterit dhe Universiteti i Prishtinës nënshkruan së fundi një memorandum bashkëpunimi për studimet në fushën e robotikës. Në bazë të kësaj marrëveshjeje studentët dhe studiuesit e kësaj dege nga Universiteti i Prishtinës do të kenë mundësi të kryejnë praktika në laboratorët e Shkollës së Lartë Teknike të Mynsterit. Po ashtu atyre u jepet mundësia të realizojnë në praktikë projektet e tyre për ndërtimin e robotëve.

"Në marrëveshjen që kemi nënshkruar bëhet fjalë për shkëmbimin e studentëve, të docentëve fillimisht në sektorin e robotikës dhe teknikës rregullative." thotë prof. dr. Uwe Mohr, drejtues i katedrës së elektroteknikës dhe informatikës.   

Ideja për këtë kooperim lindi në vitin 2001, kur në Mynster ishte për vizitë dr. Arbnor Pajaziti nga Univesiteti i Prishtinës, i cili është specialist i robotikës.

Prof. Dr. Mohr thekson se ai dhe kolegët e tij gjermanë duan të përfitojnë nga teoritë e robotikës të zhvilluara në Prishtinë.

Kur flet për shkenca të tilla si robotika, që kërkon një teknologji mjaft të lartë dhe të përparuar të shkon mendja në radhët të parë tek universitetet japoneze, amerikane apo gjermane dhe jo patjetër tek universiteti i Prishtinës.

"Një studiues mendjendritur mund të bëjë me laps dhe letër edhe në Kosovë studime, problemi është realizimi në praktikë i tyre, sepse për këtë atij i duhet teknikë moderne dhe këto mund t'i ofrojmë ne në Gjermani, apo laboratorët në Japoni apo SHBA." - sqaron prof. Mohr.


Bildunterschrift: Robot humanoid
Sipas tij edhe pse gjendja e laboratorëve teknikë në universitetin e Prishtinës lë për të dëshiruar, studimet nuk mungojnë. Kështu profesor Pajaziti ka publikuar deri tani në disa revista ndërkombëtare një sërë artikujsh që kanë ngjallur interes edhe tek profesorët në Gjermani. "P.sh. ai ka botuar disa artikuj dhe studime për robotë që janë në gjendje të lëvizin, të ngjisin apo të zbresin shkallët, të ecin në rrugë. Të dhënat e këtyre  studimeve zbatohen madje edhe në praktikë, p.sh. prej studiuesve në Japoni." - sqaron prof. Mohr.

Për konkretizimin e bashkëpunimit do të shfrytëzohen mundësitë që ofron programi TEMPUS. Në kuadër të këtij programi në Dresden do të zhvillohet një takim ku bashkë me disa kolegë të tjerë, në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës dhe disa universitete të tjera të rajonit Shkolla e Lartë Teknike në Mynster do të paraqesë  një kërkesë për miratimin e një projekti për përpilimin e kurikulave për këtë fushë në Universitetin e Prishtinës dhe për të përmirësuar gjendjen e studimeve dhe të kërkimeve aty.

Prof. Mohr shpreson se "në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës besojmë se mund të ngremë një rrjet bashkëpunimi me universitetet e tjera në rajon."

Disa shkolla të larta teknike apo universitete gjermane ofrojnë që sot diploma të dyfishta jo vetëm me universitete perëndimore, por edhe me disa lindore. A do të ketë të tilla me Universitetin e Prishtinës?

"Me partnerë në Francë apo Angli ne kemi një program që ofrojmë një diplomë të dyfishtë dhe mendoj se në një perspektivë afatmesme dhe pas thellimit të bashkëpunimit një gjë të tillë mund ta bëjmë edhe me Prishtinën. Por një herë për një herë qëllimi i bashkëpunimit është që në laboratoret tona të realizohet pjesa pratike e studimeve, sepse pjesa teorike mund të bëhet edhe në Kosovë."

 Pandeli Pani : DW-World


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama