Bien ritmet e ndërtimit në Tiranë krahasuar me fundvitin 2013. Në tremujorin e parë 2014, sipas të dhënave të Buletinit Statistikor të INSTAT-it, janë miratuar gjithsej 58 leje ndërtimi, nga të cilat në kryeqytet janë dhënë 24 leje ndërtimi. Kjo është një rënie e madhe krahasuar me 79 leje ndërtimi që u dhanë në tremujorin e mëparshëm. Sipas tabelës së INSTAT, tremujorin e parë, lejet e dhëna përfshijnë një sipërfaqe të përgjithshme ndërtimi prej 189.473 m2. Lejet e miratuara për ndërtesa për banim zënë 82,8% të numrit gjithsej të lejeve, ndërsa lejet për objektet jo rezidente, 17,2%. Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit të miratuara shënoi një rritje prej 273,9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe u ul me 64,1% kundrejt tremujorit të katërt 2013. Në këtë tremujor, ndërtesat zënë pjesën më të konsiderueshme të kësaj vlere me 97,8%. Vlerën më të lartë të lejeve të ndërtimit për ndërtesa të miratuara sipas klientëve, e zënë klientët privatë me 99,8%, gjithashtu edhe për sa i përket vlerës së lejeve të miratuara për punime inxhinierike sipas klientëve, klientët privatë zënë 62,2% të kësaj vlere. Gjatë këtij tremujori, numri i lejeve të ndërtimit të miratuara për ndërtesa të reja është përqendruar në qarqet e Tiranës me 41,4%, Vlorës me 25,9% dhe Shkodrës me 19,0%. Pra, pas kryeqytetit, vijnë Vlora me 15 leje ndërtimi, Shkodra me 11 leje, Gjirokastra me katër leje. Vlera e ndërtimit është afro 5.857.068, 000 lekë.
Transporti
Sipas buletinit të INSTAT, transporti hekurudhor i mallrave në volum/km është ulur 27,4,% në tremujorin e parë 2014 krahasuar me tremujorin e parë 2013, ndërsa krahasuar me tremujorin paraardhës është rritur 7,2% për qind. Transporti ndërkombëtar hekurudhor i mallrave në volum/km është rritur 32,7 për qind ndaj të njëjtit tremujor të një viti më parë, ndërsa krahasuar me tremujorin e katërt 2013 është rritur 1,5%. Numri i pasagjerëve për km që kanë udhëtuar me linjat hekurudhore në tremujorin e parë 2014 krahasuar me tremujorin e parë 2013 është ulur nga 2.570 në 1.347 pasagjerë/km, respektivisht 47,6%. Krahasuar me tremujorin paraardhës, ky numër është ulur 3,6%. Volumi i ngarkim-shkarkimit të mallrave në porte është ulur 8,6% krahasuar me tremujorin e parë 2013, ndërsa krahasuar me tremujorin paraardhës është ulur 7,9%.
Udhëtarët - Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me tren, krahasuar me 2013-n, është ulur nga 2.570 në 1.347 pasagjerë/km
Mallrat - Transporti ndërkombëtar hekurudhor i mallrave në volum/km është rritur 32,7 për qind krahasuar me 2013-n
Posta - U rrit dërgimi i letrave
Shërbimi postar, sipas buletinit statistikor për tremujorin e parë të vitit, është rritur 4,8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2013, ku vihet re një ulje e shërbimit postar me letra të porositura 8,7% dhe rritje në shërbimin postar me letra të thjeshta 11,5%. Numri i pajtimtarëve telefonikë të telefonisë fikse në fund të muajit mars 2014 arriti 205.294 pajtimtarë, ku mbizotërojnë pajtimtarët familjarë me 190.104. Numri pajtimtarëve është ulur 5,6% krahasuar tremujorin e parë 2013.