Bashkia u hap dyert e teatrit aktoreve gjirokastrite

Bashkia u hap dyert e teatrit aktoreve gjirokastrite
Mëngjesin e djeshëm trupa e aktorëve profesionistë të Gjirokastrës e ka gjetur portën e hapur të godinës së teatrit “Zihni Sako” të qytetit. Në ndryshim nga dy ditët e kaluara kur drejtoria e teatrit nuk lejonte hyrjen e aktorëve në godinë, duke iu mbyllur derën me dryn, ditën e mërkurë aktorët gjirokastritë janë lejuar të hyjnë në teatër.

Gjatë një komunikimi me gazetarët, drejtori i kompanisë teatrore –kulturore, Thimio Fili ka pohuar se Bashkia e qytetit në ditët në vijim do të rishikojë kontratën e punësimit me aktorët. “Unë i ftoj aktorët që të rishikojmë së bashku kontratën e punës dhe ta firmosin atë, pasi një gjë e tillë do të rikthente normalitetin në jetën artistike të teatrit”, – pohoi drejtori Fili. Nga ana e tyre aktorët gjirokastritë kanë kërkuar riformatim të kontratës së punës që do të nënshkruajnë me Bashkinë. Konflikti duket se është zgjidhur nga palët të cilët kanë pritur ditë të tëra për të gjetur gjuhën e komunikimit mes tyre. Prej gati 1 viti nënshkrimi i kontratave të punës është kthyer në një “mollë sherri” midis trupës së aktorëve profesionistë në Gjirokastër dhe kompanisë teatrore-kulturore në varësi të Bashkisë së qytetit.

Mosmarrëveshjet për nënshkrimin e kontratave të punës mes aktorëve profesionistë në qytetin e Gjirokastrës dhe kompanisë teatrore në varësi të Bashkisë së qytetit, sollën dhe përplasjen mes tyre dhe 12 aktorëve të trupës profesioniste, që me urdhër të drejtuesve të kompanisë teatrore nuk iu lejua hyrja në godinën e teatrit “Zihni Sako” të qytetit. Grupi i aktorëve gjirokastritë, mes të cilëve edhe emra të njohur të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, si Viktor Çaro, Irena Pilo, Liljana Ristani, Klement Konomi, Andon Pilo, Vasillaq Çuklla etj, reaguan në lidhje me këtë veprim të drejtuesve të teatrit të Gjirokastrës.

Sipas drejtuesve të teatrit arsyeja e mbylljes së dyerve të teatrit lidhej me refuzimin e trupës së aktorëve për të nënshkruar kontratat me afate të paracaktuara, çka do të thoshte se aktorët e teatrit do të paguheshin në bazuar të punën e tyre në skenë. Kjo sigurisht që nuk u pranua nga aktorët dhe kështu konflikti gjeneroi në mbylljen e dyerve të teatrit.

Vetëm dje drejtuesit e kulturës në bashki kanë reaguar duke premtuar se do të shikojnë mundësinë e rishikimit të kontratave të aktorëve. Ka mjaftuar ky premtim që të zbutet situata mes djretorisë së teatrit dhe trupës së aktorëve.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama