Bashkim Kozeli Kemi drama shqipe por s’kemi regjisore
- Botuar: 13 vite më parë
- Shkruar nga:
“Ëndrra e Ismail Qemalit” zgjidhet drama fituese e konkursit të hapur me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Dramaturgu Bashkim Kozeli sjell një vepër historike, ku Ismail Qemali vjen si burrë shteti dhe si njeri. Meraku i tij mbetet vënia në skenë
“Ëndrra e Ismail Qemalit” është drama shqipe që u shpall fituese e konkursit të çelur me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Është shkruar nga Bashkim Kozeli, ushtarak në profesion, i cili i vendos ngjarjet në vitet 1900-1908. Një dramë historike që synon të japë një dimension të Ismail Qemalit jo vetëm si burrë shteti, por edhe njerëzor. Me çmimin e dytë u vlerësua “Të ftuarit” nga Mustafa Tukaj dhe me çmimin e tretë Stefan Çapaliku me “Provat gjenerale të Pavarësisë”.
Juria e konkursit, e përbërë nga regjisori Mihal Luarasi, në rolin e kryetarit, aktorja Yllka Mujo, aktori Ndriçim Xhepa, dramaturgu Bashkim Hoxha, kritiku i teatrit Josif Papagjoni, aktorja Sesilia Plasari dhe shkrimtari Bastri Çapriqi morën në shqyrtim 31 drama. Si kryetar i jurisë, Luarasi u shpreh se janë habitur nga prurjet e mëdha të këtij konkursi. “Përveç tri dramave fituese, janë edhe 7-8 të tilla që shumë mirë mund të vihen në skenë.
Me pak përmirësime, përbëjnë materiale shumë të mira. Duhet të theksojmë se ne nuk i zgjodhëm veprat fituese për tematikën, sepse kriter nuk ishte t’u kushtoheshin 100-vjetorit të Pavarësisë, por për vlerat që paraqisnin si drama”, ka theksuar Luarasi. E megjithatë, drama fituese i kushtohet pikërisht një prej figurave emblematike të pavarësisë, Ismail Qemalit, do të shfaqet premierë e do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Teatror Mbarëkombëtar të Dramës Shqipe, që do të mbahet në muajt tetor-nëntor. Mes një diskutimi të gjatë ka apo nuk ka dramë shqipe, aktorja Yllka Mujo, një prej anëtareve të jurisë, pranon se gjatë këtyre viteve vëniet në skenë kanë qenë të dobëta.
E ndërsa juria i ka dhënë statusin e fituesit, sfidën më të madhe Bashkim Kozeli konsideron skenën. Ai nuk është një emër i njohur në rrethin teatror, edhe pse ka pasur bashkëpunime të hershme me regjisorin Pandi Stillun dhe Piro Manin. Sipas tij, veprat dështojnë, sepse në Shqipëri ka vënës në skenë, por jo regjisorë. Nga ana tjetër, dramaturgët kërkuan më shumë vëmendje ndaj dramaturgjisë kombëtare, ndërkohë që ministri i Kulturës Aldo Bumçi premtoi se disa nga veprat e konkursit do të shohin skenën, qoftë edhe nga teatro të rretheve. E ndërkohë që Kozeli do të jetë në pritje të një regjisori, zbulon pak më shumë për “Ëndrrën e Ismail Qemalit”.
Nga titulli kuptohet që kjo dramë i është kushtuar Ismail Qemalit. Si vjen figura e tij?
Figura e Ismail Qemalit është shumëdimensionale, me vizion europian dhe është emblema e Shqipërisë në këtë 100-vjetor. Unë e sjell atë për t’i thënë publikut: Ja si është një burrë shteti. Por njëkohësisht është edhe figurë realiste e njerëzore, me shqetësimet e një familjari.
Është një dramë me shumë personazhe dhe në çfarë stili është shkruar?
Ka shumë personazhe që janë kryesisht figura historike: Ismail Qemali, Faik Konica, Esat Toptani, Isa Boletini dhe karaktere të tjerë. Është një dramë historike dhe realiste.
Ku vendosen ngjarjet?
Ngjarjet vendosen në disa kryeqytete të Europës, më 1900, kur Ismail Qemali braktis gjithë detyrat e mëdha që kishte në Perandorinë Osmane dhe shkon në kryeqytetet e Europës për çështjen shqiptare. Ëndrra e tij ishte pavarësia, por unë nuk merrem me vitin 1912, por shkoj nga 1900 deri më 1908. Më janë dashur 3-4 vjet për ta përfunduar këtë dramë. Kam shfletuar libra pafund dhe kam bërë kërkime në internet për të gjetur detaje të kohës.
Cilat mendoni se janë pikat e forta të veprës suaj?
Pikat e forta i zbulon kryesisht regjisori. Unë besoj se do të dal faqebardhë në skenë. Ka karaktere, konflikt dhe emocion.
Kur keni nisur të shkruani drama?
Unë kam lindur në vitin 1942 në Kolonjë të Korçës. Kam studiuar për pilot në Rostov, në ish-Bashkimin Sovjetik në 59-61. Kam filluar të shkruaj që i vogël. Më ka mbajtur shumë afër Nonda Bulka. Drama ime e parë ka qenë “Shokët”, një dramë romantike, e cila u vu fillimisht në Vlorë e pastaj në Teatrin Kombëtar në vitin 1969 në Tiranë, ku kam bashkëpunuar me regjisorin Pandi Stillun. Dy drama të miat i ka vënë në skenë Piro Mani, “Sinjali i kuq”, që flet për konfliktin me rusët dhe një dramë që u pezullua në vitin 1975, “Renegatët”. Me Pjetër Gjokën kam bashkëpunuar për veprën “Lidhur si fishek gjerdani”. Kam bërë edhe skenarë për kinematografi, por vënia në skenë e veprave të mia u ndërpre, sepse mua m’u dënua një vëlla, të cilin e quajtën pjesë e puçit ushtarak. Në fillim të viteve ’80 ndërhyri Lazër Filipi te Ramiz Alia, që të vihej sërish një dramë e imja.
Me cilin nga regjisorët do të bashkëpunonit për këtë dramë?
Unë do ta dorëzoj dramën në Teatrin Kombëtar, sepse kështu parashikohet në kushtet e konkursit. Do të doja të bashkëpunoja me profesor Mihal Luarasin apo me Gëzim Kamen.
Pse mendoni se kanë dështuar vëniet në skenë të dramave shqipe?
Të gjitha shfaqjet këtu janë të dështuara. Mendimi im është se mungon regjia. Ka vënës në skenë, por jo regjisorë. Regjisori duhet të jetë njeri enciklopedik që të njohë edhe letërsinë, tekstin, muzikën, skenografinë, temporitmin, etj.
Shpërblimi
Çmimi i parë do të shpërblehet me 500.000 lekë, çmimi i dytë me 300.000 lekë dhe çmimi i tretë me 200.000 lekë
Dramat konkurruese
YLLDIJE SULKA – TOKA IME
ODISE PLAKU – SHTËPIA E RE
ODISE PLAKU – KTHIMI
OSMAN GORANCI – MUAJI I MJALTIT
TEODOR LAÇO – VATANI I HARRUAR
BASHKIM KOZELI-ËNDRRA E ISMAIL QEMALIT
SKIFTER KËLLIÇI – GJYQI I TRADHTISË SË LARTË
HEKURAN ZHITI – TË MBLIDHEMI NË LUSHNJË
STEFAN ÇAPALIKU – PROVAT GJENERALE TË PAVARËSISË
GAZMEND KRASNIQI – EDIPI KËRKON AUTOR
AGIM SHEHU – DHIMBJET E LIRISË
SOKOL ANGJELI – DITË SA NJËQIND VJET
RUZHDI PULAHA – BURRI QË NUK VDES DOT
NADIRE BUZO – PËRTEJ KUFIJVE
FERDINAND HYSI – TESTAMENTI
SHERIF DELVINA – GENTI
NASER SHATROLLI – KASETAT
ARQILE NASHI – SHTEGTIMI I MJELMAVE
FADIL KRAJA – HISJA E DIELLIT
MUSTAFA TUKAJ – TË FTUARIT
BESNIK ALIBALI – DIKTATORËT
VLADIMIR LULAJ – DY KAPITENËT E UÇK
OLTION KADAIFXHIU – NJË HISTORI E MËRZITSHME
ARDIAN CHRISTIAN KYÇYKU – COPËZA JETE FRYMËZUAR NGA TEATRI
LAZËR FILIPI – IKONA E TË GJITHA KOHËRAVE
ARBEN KASTRATI – NË TOKËN MES KUFIJVE
MIHAL DEDJA – DUELE TË VDEKJES
THOMA NOTE – VETËVRASJA
RESHAT KRIPA – PËRSE
GANI MEHMETAJ – NATA E FUNDIT
EKREM KRYEZIU- DJALI I ROZAFËS